Milani u mund në Torino këtë të enjte me rezultatin 2-1, pasi sulmuesi Andrea Belotti shënou dy herë brenda katër minutave, duke anuluar avantazhin fillestar të kuqezinjve.
Miqtë nga Milano shënuan të parët në një sfidë tepër të fortë, kur Krzysztof Piatek realizon nga pika e bardhë. Penalltia ishte akorduar pasi Rafael Leao u rrëzua në zonë në dyluftim me De Silvestri-n dhe pavarësisht protestave të vendasve, VAR konfirmoi faullin.
Në fillim të pjesës së dytë polaku pati një rast shumë të mirë për të dyfishuar rezultatin, por e dërgon topin ngjitur me shtyllën. Më parë, Donnarumma realizoi një pritje fantastike për t’i mohuar golin e barazimit Simone Verdi-t.
Por në të 72’ vjen edhe goditja e parë për kuqezinjtë, kur Belotti lëviz mirë në zonë dhe pas një krosimi të saktë shënon me të djathtën. Pas vetëm katër minutash vjen edhe kryevepra e sulmuesit italian, i cili me roveshiatë shënon golin e fitores. Në minutën e fundit të dy skuadrat patën mundësi të shënonin. Në fillim Zaza humbi një rast të pastër, vetëm për vetëm përballë Donarumma-s, ndërsa Piatek në krahun tjetër goditi fort me kokë, por një mrekulli e Sirigu i mohoi golin e barazimit.
Fitorja ngjit Torino-n në vend të gjashtë në renditje dhe zhyt Milan-in në vend të 13, me 3 humbje dhe vetëm 2 fitore në 5 javët e para. (A2 Televizion)