Trafikon në mënyrë të paligjshme emigrantë, 6 në pranga

Nga A2 CNN
21 Qershor 2020, 12:00 | Kronikë

Policia e Shtetit finalizoi një operacion kundër trafikimit të emigrantëve të paligjshëm nga Lindja e mesme drejt vendeve të BE-së gjatë së cilit u vunë në pranga 6 persona.

Në kuadër të hetimeve, që raportohet të kenë zgjatur për rreth 8 muaj, u bë i mundur ndalimi i shtetasve: A. O., 36 vjeç, M. I., 30 vjeç, A. V., 39 vjeçe, A. B., 20 vjeçe, të katërt banues në Tiranë, si dhe A. P., 21 vjeç dhe M. P., 19 vjeç, banues në Korçë.

Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe persona të tjerë në Greqi, Turqi dhe Lindjen e Mesme, për një periudhë 9-mujore kanë organizuar dhe drejtuar veprimtarinë kriminale të trafikimit të personave me origjinë nga Lindja e Mesme  në Greqi, Shqipëri deri në përcjelljen e tyre drejt kufirit me Malin e Zi, Kosovën, me destinacion vendet e Bashkimit Europian.

Gjatë ndjekjes së këtij procedimi penal janë dokumentuar rreth 4 raste të trafikimit të personave nga ky grup dhe sipas të dhënave këta persona merrnin nga 100-300 euro për çdo emigrant nga Bilishti në Tiranë dhe nga Tirana në drejtim të Kukësit ose Shkodrës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos