Tragjeditë e një lufte 10-vjeçare

Nga A2 CNN
20 Mars 2021, 16:55 | Bota
Tragjeditë e një lufte 10-vjeçare

Gjithçka nisi 10 vite më parë, me protestat paqësore pro-demokracisë në Daraa. Ka kaluar tashmë një dekadë dhe realiteti në Siri është akoma depresues, teksa vendi dhe banorët e tij janë të përçarë. Betejat mes aktorëve shtetërorë rajonalë dhe globalë sjellin gjakderdhje dhe mbjellin terror, jo vetëm në këtë shtet, por edhe përreth botës.

“Al-Assad, ose djegim vendin”, një shprehje që besnikët e regjimit e brohorisnin shpesh gjatë 10 viteve të fundit, teksa Siria u zhyt edhe më tepër në humnerë.

Vendi është djegur dhe presidenti Bashar Al-Assad ka mbetur në pushtet. Një kryengritje që nisi paqësore ka shkaktuar rreth gjysëm milioni viktima nga një vlerësim të Kombeve të Bashkuara, organizatë e cila ndaloi së numëruari 5 vite më parë.

Gjysma e popullatës u detyrua të zhvendosej apo largohej nga vendi. Duke mos pranuar dorëzimin e regjimit dinastik dhe shtypjen, Assad e quajti atë një konspiraci të huaj. Dhe me të vërtetë që kryengritja është shkndërruar në një gjakderdhje multinacionale. SHBA dhe aleatët fillimisht ndihmuan opozitën e përçarë me para dhe armë për të vijuar luftën, por asnjëherë mjaftueshëm për të fituar. Dështimi i opozitës i hapi derën ISIS dhe çmendurisë brutale të organizatës terroriste që tërhoqi pas europianë dhe amerikanë në tokën Siriane. Irani dhe Hezbollahu Libanez i erdhi në ndihmë Assadit, të ndjekur nga Rusia e plotfuqishme. Betejës iu bashkuan edhe Turqia me Izraelin.

Siria sot është akoma një sheshbetejë, ku takohen fuqitë e mëdha, ato rajonale dhe lokale kundër njëra-tjetrës. Jetesa është bërë e shtrenjtë, por edhe më shumë i kushtueshëm është largimi. Ëndrrat për liri janë zbehur me kohë.

Autorja amerikano-sirian, Alia Malek, dëshmoi vitet e para të konfliktit.

“Rendi dhe stabiliteti janë shfaqur si gjërat më të rëndësishme për komunitetin ndërkombëtar se sa një shoqëri e vërtetë, e hapur apo demokratike. Frika nga militantët të ngjashëm me ata të ISIS terrorizon psikologjikisht më shumë njerëzit se sa idea e një kasapi me kostum të shtrenjtë.”

Media publike siriane e portretizon mbijetesën e Assad si një fitore. Por a mund të konsiderohet e tillë, kur vendi është i shkatërruar, popullata e traumatizuar dhe ekonomia në rënie të lirë?

“Çfarë të bëja? Të përdorja kovën apo batanijen? Provova me duar ta largoja nga flakët, por nuk munda”, shprehet Amar, mamaja e një fëmije të plagosur.

Trupi i djalit të Amar ishte një top zjarri. Sultan, 8 vjeç, po luante me biçikletën e tij kur një raketë shpërtheu magazinat e karburanti aty afër.

“Barku im ishte në flakë, dukej sikur po më biente mishi, në bark dhe shpinë.”

Një ambulancë dërgoi Sulltanin në Turqi. Ai dhe mamaja e tij kanë qëndruar atje që prej asaj periudhe.

“Ti nuk je i shëmtuar, por i bukur”, i thotë vazhdimisht Amar. Sultan ka një buzëqeshje çarmatosëse teksa sytë i shkëlqejnë por e shkuara e tmerrshme nuk është lënë plotësisht pas.

“Ai përjeton makthe ku është i përfshirë nga flakët, i gjithë trupi, madje edhe sytë i ka në zjarr. Kjo e zgjon ndërsa i kërkon së ëmës që t’i shuajë flakët.”

Sultan ka një moshë aq sa vetë lufta e Sirisë dhe një jetë që mbart shenjat fizike dhe emocionale të një kombi. Kur ishte 5 vjeç, vëllai iu vra nga bombardimet.

“Fqinjët i hoqën copëzat e xhamit nga qafa.”, shprehet e ëma.

Kur Sultan ishte 6 vjeç, humbi dhe babain nga një sulm.

“Kam parë shumë fëmijë të vdisnin para meje. Nuk munda të shpëtoj asnjë.”, shton ajo.

Këtu ka lindur Sultan, në një dhunë të paimagjinueshme, ku ai ka humbur aq shumë. Një qytet pluhuri gri i një fëmijërie të shkatërruar dhe vjedhur nga lufta.

Familja e Renadës nuk e dinte se një rrjet minash ishin vendosur në murin e shtëpisë së tyre. Gjyshi tregon se ku ishte e para që shpërtheu.

“Ajo po dilte nga dera dhe papritur ndodhi një shpërthim.”, shprehet Arwa Damon.

Ajo humbi këmbën e majtë, poshtë gjurit dhe tani ka një protezë. Thotë se babai u zhduk një dekadë më parë, në fillim të luftës siriane. Tregon se i janë mbyllur sytë dhe braktisur në pyll.

“Njerëzit që kalonin aty pranë më dëgjuan teksa qaja.”, shton Renad. Është fjalia më e gjatë që thotë. Shumicën e kohës përgjigjet me një fjalë ose në heshtje.

Gjyshi thotë se ndihet sikur ajo nuk ekziston. Nuk ëndërron një jetë pa luftë pasi nuk mund as ta imagjinojë atë. Ka kaluar një vit që prej kohës kur këtu ndodhi sulmi më intensiv i forcave ruse dhe atyre të regjimit sirian në atë që ishte terrirori i mbetur i kontrolluar nga rebelët. Në fuqi është vendosur një armëpushim, i cili po respektohet aktualisht.

Covid-19 shpërtheu këtu vitin e kaluar, por tani reparti intesiv është thuajse bosh.

“Thasët me rërë janë akoma këtu në rast se bombardimet rifillojnë.”, thekson Aewa Damon nga CNN.

Ky është një spital pediatrik, një nga të paktët që mbetën pa prekur. Said është dy vjeç e gjysëm dhe ekstremisht nënpeshë.

“Ka pasur një trefishim e rasteve të kequshqyerjes vetëm në këtë klinikë.”, shton Damon.

Vitet e mbushur me bombardime dhe zhvendosje sollën varfëri të madhe, e cila u shtua dhe më shumë nga mbyllja e kufijve nga pandemia dhe ngadalësimi I dorëzimit të ndihmave humanitare.

Ka kaluar vetëm një dekadë, që për shumë është e gjithë jeta, e mbushur plot me trauma. E kaluara është gjithçka. Për shumë nuk ka muaj apo javë që kalon dhe që nuk është përvjetori i vdekjes së një personi të dashur.

Përballë tragjedive njerëzore, ajo çfarë ka mbetur për tu shpëtuar është pafajsia e një gjenerate të frikësuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos