
Administrata Amerikane për Ushqimin dhe Ilaçet, FDA, autorizoi përdorimin e një trajtimi emergjent për Covid-19: atë me plazmë konvaleshente. Por çfarë është kjo? Konvaleshent, nënkupton këdo që është shëruar nga një sëmundje. Komisioneri i FDA, Stephen Hahn, shpjegon plazmën.
“Plazma është një pjesë e lëngshme e gjakut. Ajo përmban imunitet natyral, të cilin e zhvillon dikush si kundërpërgjigje ndaj një infeksioni, në këtë rast Covid-19”, u shpreh Stephen Hahn, komisioner i FDA.
Ja si funksionon trajtimi: Fillimisht merret gjaku nga dhuruesi dhe më pas futet në një makineri, e cila ndan plazmën nga gjaku. Plazma është një lëng i verdhë. Gjaku i kthehet sërish dhuruesit, ndërsa plazma përdoret te pacientët e prekur nga Covid-19.
“Nëse të dhënat vazhdojnë me këtë ritëm nga 100 persona të infektuar, 35 janë shpëtuar nga trajtimi me plazmë”, tha Hahn.
Por kjo nuk është një kurë. “Nuk është njësoj si aprovimi, por është një autorizim. Na lejon ne të zgjerojmë qasjen në të”.
Hahn shton se kjo do të lejojë grumbullimin e më shumë të dhënave dhe plazmës, që është mjaft e rëndësishme. Por, doktoresha Janet Woodcock, pjesë e FDA, thotë se numri i dhuruesve është i kufizuar ndaj dhe Administrata Amerikane e Ushqimeve dhe Ilaçeve u ka bërë thirrje qytetarëve që i kanë shpëtuar koronavirusit që të dhurojnë plazmën konvaleshente. (A2 Televizion)