
Në Shqipëri, më shumë se nga rritja ekonomike, vendet e reja në tregun e punës po krijohen si pasojë e emigrimit. Është kjo një ndër gjetjet e publikuara nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal në anketën e Barometrit të Ballkanit për vitin 2021.
Sipas anketës, 38 për qind e vendeve të lira të punës të krijuara në linjat e biznesit ishin nga mungesat si pasojë e emigracionit. Por, çfarë do të thotë kjo për ekonominë e vendit?
Sipas ekspertit të tregut të punës, Erion Muça “kjo është një shenjë jo fort pozitive, sepse nuk po gjenerojmë më jo vetëm vende pune por as profesionistë që t’i përgjigjen mbulimit të këtyre profesioneve. Pra, atë që sot po bën bota pas pandemisë, që janë krijuar 1 miliard vende pune, në Shqipëri nuk po shihet me të njëjtin interes”.
Shkaku kryesor për vendet e lira të punës mbetet mungesa e aftësive. Sipas anketës, 45% e vendeve të lira të punës në Shqipëri janë të tilla si pasojë e mungesës së kualitetit në tregun e punës.
“Tregu shqiptar i punës, me mungesën e kurrikulave dhe orientimin drejt profesioneve, nuk ka plotësuar asnjëherë rezervën për të mbuluar nevojat e profesionisteve që largohen në emigracion, kjo shpjegon edhe vakumin e krijuar”, shton Muça.
Largimi i punonjësve të kualifikuar, plakja e popullsisë dhe mungesa e programeve trajnuese po kthehen përherë e më shumë në një pengesë përballë dinamikave të reja në tregun e punës në vend. (A2 Televizion)