
Antonio Nidoli, Presidenti i Dhomës Italiane të Tregtisë, dha një intervistë ekskluzive për A2, ku komentoi situatën aktuale të biznesit dhe tregoi se çfarë duhet të bëjë Shqipëria për të thithur investimet perëndimore.
Zoti Nidoli, faleminderit që gjetët kohë për intervistën.
Faleminderit ju që erdhët në Dhomën Italiane të Tregtisë.
Pyetja e parë që doja t’iu bëja lidhet me situatën aktuale të bizneseve dhe sipërmarrjeve. A mund të themi që jemi në një fazë post Covid-19 dhe se aktiviteti po rikthehet në nivelet e para krizës shëndetësore?
Unë do të thoja, me siguri që po. Viti i shkuar ishte i vështirë si për sipërmarrjet italiane edhe për ato shqiptare, pasi Shqipëria varet shumë nga marrëdhëniet tregtare me Italinë dhe vendet e tjera të Bashkimit Europian, mbi të gjitha në aktivitetet e manifakturës si dhe në sektorë të tjerë në të cilët u krijua një bllokadë. Kjo u vu re më së shumti në Shqipëri në mars, prill dhe maj të vitit të shkuar. Shumë ndërmarrje u detyruan të pezullonin aktivitetin e tyre. Fundi i vitit 2020 dhe fillim i vitit 2021 ka dhënë shenja të një ringritjeje të fortë si të eksporteve, ashtu edhe të importeve.
Italia vlerësohet si një partnere strategjike e Shqipërisë dhe ky pohim është vërtetuar edhe në praktikë. Italia ishte vendi nga dhe drejt së cilit Shqipëria kreu më shumë shkëmbime mallrash në 6 muajt e parë të këtij viti. Sipas INSTAT, eksportet e mallrave të Shqipërisë drejt Italisë u rritën me 31,8% në janar-qershor 2021, krahasuar me të një njëjtën periudhë të një viti më parë. Importet me Italinë gjithashtu u rritën me 38,5%. A kënaqin këta tregues? Si dhe çfarë mund të përmirësohet?
Treguesit janë shumë të kënaqshëm dhe tregojnë një rigjallërim të aktiviteteve të sipërmarrjeve shqiptare, po ashtu edhe të shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve. Ne gjithmonë kemi lobuar te sipërmarrjet italiane që të investojnë në Shqipëri, pasi është një treg gjeografikisht afër dhe që mund t’u japë shumë avantazhe ndërmarrjeve italiane dhe shumë prej tyre punojnë në Shqipëri prej shumë vitesh. Shumë ndërmarrje italiane janë këtu që prej viteve ’90. Ajo që është e rëndësishme është se ka shkëmbime tregtare që nga viti në vit janë rritur. Rritja në raport me 2020-n që ju i referoheni, është e rëndësishme pasi tregon ringritje. Por, rritja dyshifore në përqindje është normale, duke marrë në konsideratë që vitin e shkuar tregtia thuajse u ndal.
Sipas INSTAT, 485 biznese italiane u mbyllën gjatë vitit pandemik 2020. A reflektohen edhe në terren këto shifra? Si ka qenë trendi i sipërmarrjeve italiane vitet e fundit në Shqipëri?
Kjo është një e dhënë që nëse do i referoheshim vetëm numerikisht do ishte e saktë, në kuptimin që ishin 485 ndërmarrje italiane që mbyllën NIPT-in gjatë vitit të shkuar. Por, duhet të kuptojmë përsenë dhe çfarë ishin këto NIPTE. Ajo që ne kemi kuptuar duke analizuar të dhënat e INSTAT është që shumica e këtyre NIPTE-ve ishin të hapura nga një person i vetëm apo kompani me vetëm një administrator, të tjera ishin NIPTE tashmë të pezulluara, pasi kishin kaluar më shumë se tre vite dhe subjektet e regjistruara nuk kishin kryer aktivitet. Pra, ajo që ndodhi ishte kjo: Një dyzinë aktivitetesh të hapura në letra e që kurrë nuk ishin operative u mbyllën automatikisht nga sistemi.
Ka një shqetësim nga sipërmarrës brenda dhe jashtë vendit, që megjithëse sistemi fiskal i Shqipërisë është i favorshëm (taksa të ulëta), ndryshimet e shpeshta që qeveria bën në politikat e taksave bën që sistemi i brendshëm i bizneseve të pësojë paqëndrueshmëri. Cili është vlerësimi i Dhomës Italiane të Tregtisë mbi sistemin fiskal në Shqipëri?
Taksat e ulëta sigurisht që e bëjnë tregun shumë konkurrues. Në Shqipëri, ato janë të ulëta, krahasuar me vendet e rajonit sepse nuk mund të krahasohemi me Bashkimin Europian. Një ndërmarrje nuk e bazon aktivitetin e saj vetëm tek sistemi fiskal apo taksimi. Ndryshimet e shpeshta fiskale sigurisht që ndikojnë jo vetëm në vendimin për të hapur apo jo një biznes në Shqipëri, por edhe në zgjerimin e aktiviteteve ekzistuese në vend. Për fat të keq, pakënaqësitë nga ana e bizneseve vijojnë të jenë të pranishme. Unë nuk kam parasysh këtu vetëm ndërmarrjet italiane, por edhe ato shqiptare. Asnjëherë kur flas, nuk bëj diferencë mes biznesve italiane dhe atyre shqiptare.
Mbrojtja e investimeve dhe kontratave. Flasim për investitorët kryesisht nga jashtë vendit, si e vlerësoni?
Unë them që mbrojtja e aktivitetit nuk është më një argument debati, sepse ka një ligj që barazonte investimet e huaja me ato vendase dhe nuk jemi më në vitet ’97 kur kishte një pasiguri totale, lidhur me të drejtat dhe pronësinë. Pra, nuk jemi më në gjendje emergjence. Ajo që duhet të përmirësohet, sipas meje, është se ne, për shembull, si dhomë, kemi hapur një zyrë të arbitrazhit ndërkombëtar, duhen disa instrumenta inovativë, si ato që Ministria e Drejtësisë ka ngritur pas ligjeve të reja, për ta bërë më të sigurt mosmarrëveshjet e mundshme në kontratat tregtare midis ndërmarrjeve të huaja dhe atyre shqiptare dhe për të arritur të zgjidhë këto mosmarrëveshje. Sepse kur nuk zgjidhen mosmarrëveshjet në gjykatë, duhen vite dhe kjo krijon një dëm dhe risk shumë të madh për vendin. Dhe shumë aktivitete, shumë shkëmbime tregtare bllokohen nga paqartësitë e lidhura me pamundësinë për të rekuperuar investimin dhe atë çka është shitur. Ndaj, ne si Dhomë kemi aktivizuar këtë zyrë të Arbitrazhit Ndërkombëtar, pikërisht për t’u ardhur në ndihmë së pari shoqatave tona, por edhe të gjitha ndërmarrjeve shqiptare që mund të shfrytëzojnë shërbimet edhe me konsulentë italianë, që mund të japin një garanci më të madhe pavarësie nga pikëpamja e mediatizimit dhe debatit publik. Nuk ka vetëm gjykata dhe në këtë sens gjykatat ndihmohen për të kryer detyra të ndryshme që janë më shumë të lidhura me aksionin e gjykatës në mënyrë që problemet tregtare të zgjidhen në mënyrë më të shpejtë të sigurt dhe ekonomikë. Sistemi gjyqësor shqiptar ishte një nga problemet e rrezikut të vendit. Kishte shumë paqartësi, sidomos në vitet e shkuara. Me procesin e vetingut, ka pasur përmirësime, edhe pse këto procese kanë krijuar një ndërprerje të sistemit. Kjo është ana negative, sepse proceset nëse tejzgjaten, nëse ndalojnë, kjo normalisht nuk i bën mirë ekonomisë dhe nuk shihet në mënyrë pozitive. Shpresojmë në drejtimin e ri, që trupat e reja gjykuese, gjykatësit e rinj, të mund të zhvillojnë në mënyrë objective dhe të pavarur punën e tyre, sepse çështje ka pasur shumë. Nuk jam unë ai që mund të them, apo të lehtësoj procesin, sepse ky shqetësim është ngritur në nivel ndërkombëtar, por mendoj se Shqipëria po udhëton në rrugën e duhur për të zgjidhur këtë problem. Pa të cilën nuk do të zgjidhen as problemet e tjera, si për shembull mundësia për ta parë Shqipërinë si vendin më të mirë për të investuar. E drejta dhe drejtësia duhet vërtet të jetë e barabartë për të gjithë.
Zoti Nidoli, nëse dikush fare thjesht do ju pyeste: Përse duhet të investoj në Shqipëri? Si do i përgjigjeshit?
Është një pyetje për të cilën përgjigjja nuk është e thjeshtë sepse implikon shumë gjëra për t’u marrë në konsideratë. Unë mendoj se Shqipërisa, si një treg në rritje, me zhvillim të fortë, duke mos marrë parasysh tani problemin Covid, është një treg për t’u parë, një treg mbi të cilin duhet reflektuar, por ka nevojë që gjërat të bëhen më mirë. Në kuptimin që jam dakord me atë që tha kryeministri kohët efundit, pres nga investitorët e huaj, sidomos nga italianët, më shumë investime në cilësi dhe sasi. Ka të drejtë, sepse nëse duhet që ne italianët të sjellim diçka në Shqipëri, duhet të sjellim diçka që nuk është më e keqe se ajo që kemi në Itali, por të jetë më e mirë. Sepse tregu shqiptar sot është strukturuar, nuk është më tregu i viteve ’90, ku çdo gjë që vinte në Shqipëri ishte shumë e mirë. Sot, tregu shqiptar është shumë konkurrues. Ky është objektivi i rëndësishëm që Shqipëria duhet të arrijë. Shqipëria duhet të bëhet një treg konkurrues në të gjithë rajonin e Ballkanit, kjo është e rëndësishme. Atëherë do të vijnë shumë investime edhe nga Perëndimi, në cilësi dhe sasi.
Zoti Nidoli, faleminderit dhe një herë për kohën tuaj e njëherazi që pranuat intervistën.
Shpresoj t’ju jem përgjigjur pyetjeve tuaja dhe të kem dhënë një kontribut për debatin mbi Shqipërinë e sotme. Faleminderit juve. (A2 Televizion)