Trump për sulmet në Irak: Asnjë ushtar i lënduar, të gatshëm për paqe me Iranin

Nga A2 CNN
8 Janar 2020, 18:33 | Bota
Trump për sulmet në Irak: Asnjë ushtar i lënduar, të

Ashtu edhe siç ishte paralajmëruar më herë, presidenti i SHBA, Donald Trump doli në një konferencë për shtyp pas sulmeve të Iranit ndaj bazave ushtarake në Irak ku ishin të vendosura dhe trupat amerikane.

Kreu i Shtëpisë së Bardhë, zyrtarisht deklaroi, se si pasojë e këtyre sulmeve të Iranit, në bazat ushtarake pati vetëm dëme të vogla materiale dhe asnjë ushtar të lënduar. Trump u zotua se për sa kohë ai të jetë president, Irani nuk do të ketë kurrë armë atomike.

Më tej, Donald Trump foli dhe për vrasjen e gjeneralit Soleimani dhe për hapat e mëtejshme që do të marrë Amerika pas sulmeve iraniane.

“Gjenerali Soleimani ishte terroristi më i madh në botë, me duart të mbuluara me gjakun e ushtarëve amerikanë dhe irakianë. Tashmë në tavolinë janë të gjithë opsionet kundër Iranit, për t’iu kundërvënë kërcënimit të tij”, tha Trump.

Presidenti amerikan iu bëri thirrje vendeve si Kina dhe Rusia, madje dhe BE që të tërhiqen nga marrëveshja aktuale bërthamore me Iranin dhe të bashkëpunojnë për një akord të ri që do e bëjë botën më të sigurt.

Në fund, Trump shtoi se SHBA janë të gatshme për të përqafuar paqen me Iranin, duke iu referuar kështu popullit iranian dhe liderëve të tij. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos