
Presidenti Donald Trump ka zbuluar planin e paqes së administratës së tij në Lindjen e Mesme, në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, ku në krah të tij ishte edhe kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.
“Sot, Izraeli po bën një hap të madh drejt paqes. Rinia e Lindjes së Mesme është gati për një të ardhme më shpresëdhënëse dhe qeveritë e rajonit po e kuptojnë se terrorizmi dhe ekstremizmi islamik janë armiku i përbashkët i të gjithëve”, tha Presidenti i SHBA.
Trump propozoi atë që e quajti një zgjidhje “realiste” dy-shtetërore dhe tha se “izraelitët dhe palestinezët nuk do të shpërngulen nga shtëpitë e tyre”.
“Ky plan mund të jetë mundësia e fundit për palestinezët”, tha Trump, i cili theksoi se në vizionin e tij Jeruzalemi “do të mbetet kryeqyteti i pandarë dhe i rëndësishëm” i Izraelit.
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu e quajti Presidentin Trump si “mikun më të mirë që Izraeli ka pasur ndonjëherë në Shtëpinë e Bardhë”. (A2 Televizion)