Trump shpall fitoren, por numërimi në shtetet kyçe vijon

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2020, 08:33 | Bota
Trump shpall fitoren, por numërimi në shtetet kyçe vijon

Nata e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbyllet pa një fitues zyrtar, ndërsa në disa shtete kyçe vijon numërimi i votave me postë.

Pasi rezultatet paraprake sugjeruan se Donald Trump kishte siguruar shtetin e rëndësishëm të Floridës e gjithashtu Ohajon e Teksasin, Presidenti amerikan doli përpara 250 të ftuarve në Shtëpinë e Bardhë për të shpallur fitoren.

“Kemi fituar kudo, jemi përballë rezultateve fenomenale”, ishin fjalët e Trump. Ai drejtoi gishtin kundër shteteve ku vijon numërimi si Pensilvania, Uiskonsin e Miçigan, e ku, sipas tij, demokratët po përpiqen të vjedhin zgjedhjet.

Presidenti tha se do t’i drejtohej Gjykatës së Lartë për të ndërprerë numërimin atje.

Me tone të tjera u shfaq demokrati Joe Biden, i cili, ndërsa shprehu optimizmin për fitoren, tha se duhet treguar durim deri në numërimin e të gjitha votave.

Deri më tani, Biden rezulton lehtësisht në avantazh sa i përket votave të Kolegjit Zgjedhor, me 220 vota kundër 213 të Trump. Por, nga shtetet vendimtare deri më tani ka fituar vetëm Arizonën, ndërsa Presidenti ruajti Floridën, Ohajon, Ajouan dhe Teksasin. Sipas projeksioneve, është në avantazh edhe në Xhorxhia e në të gjitha shtetet ku po numërohen votat, si Miçigan, Uiskonsin dhe Pensilvani.  

Por, në këto shtete, që pritet të përcaktojnë edhe fituesin, janë ende pa u numëruar miliona vota me postë.

Sa i përket votimit për Kongresin, demokratët ruajnë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa për Senatin gara është e ngushtë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos