Turi i Shqipërisë, etapa e dytë dominohet nga grekët

Nga A2 CNN
24 Maj 2023, 10:55 | Sporte të tjera
Turi i Shqipërisë, etapa e dytë dominohet nga grekët

Turi i Shqipërisë në çiklizëm përfundoi etapën e dytë me intinerarin Tiranë-Lushnjë-Elbasan. Fitues doli greku Georgios Butopulos, çiklisti i skuadrës “Alfa Cycling Team”, që përshkoi 157 km në kohën 3 orë, 21 minuta e 43 sekonda.

Në podium u ngjitën dhe dy bashkëkombasit e tij, grekët Polikronis Corcakis dhe Nikiforos Arvaniti.

Ndërkohë, sa i përket skuadrës kuqezi, rezultatin më të mirë e arriti Lukas Sulaj, i cili e mbylli garën në vendin e 12, Mikel Demiraj që u pozicionua në vendin e 17, ndërsa Ylber Sefa e mbylli garën në vendin e 29-të.

Në total, Rrethi Çiklistik është i ndarë në 5 etapa dhe çdo sportist duhet të kalojë 754 kilometra duke përshkuar qytetet e Lushnjës, Elbasanit, Vlorës, Përmetit dhe në fund, Fierin.

Deri më tani, klasifikimin e përgjithshëm e kryeson britaniku Stadman, fitues i etapës së parë, ndërsa në të dytën u rendit në vendin e nëntë. Kjo garë është pjesë e kalendarit ndërkombëtar të çiklizmit dhe sportistët pjesëmarrës kanë mundësi të sigurojnë pikë për në Lojërat Olimpike “Paris 2024”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos