
Tre persona janë vënë në pranga në Tiranë pas një operacioni të zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 3 dhe Forcat Operacionale të DVP Tiranë.
Sipas policisë, të arrestuarit vepronin në formën e një grupi të strukturuar kriminal, të cilët kishin tentuar të mashtronin një biznes për të përfituar 40 000 euro.
Në pranga u vunë, E. A., 21 vjeç, A. B., 18 vjeç dhe G. K., 19 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Nga hetimet e kryera dyshohet se një 39-vjeçar me iniciale F. Gj., i shpallur në kërkim gjatë operacionit "Subjekti", i zhvilluar nga Policia e Shtetit, në datën 10 janar të këtij viti, është bashkëpunëtor me tre të rinjtë e përmendur më lart.
Të rinjtë, bashkë me 39-vjeçarin e shpallur në kërkim tentuan ta mashtronin biznesin duke u prezantuar si zyrtarë të lartë të institucioneve dhe duke përdorur emra të ndryshëm. Ndërkohë policia ka sekuestruar 89 400 euro të gjetura gjatë kontrolleve të banesave dhe aparatet celulare të autorëve të dyshuar. (A2 Televizion)