U premtuan 1 miliard eksporte në bujqësi, eksperti: Për ta arritur, strategji zhvillimi, orientim për tregun, përfshirje e akademikëve dhe rikthim i statistikave

Nga A2 CNN
16 Shtator 2021, 13:24 | Aktualitet

Pjesë e programit të qeverisë është bujqësia, ku kryeministri Edi Rama shpalosi objektivin 1 miliard euro eksporte në vit në këtë mandat. Por sa është kjo diçka e mundur, në një sektor që po njeh rritje por që mbetet ende me probleme të pazgjidhura? Sipas Ilir Pilkut, ekspert i këtij sektori, “vlera 1 miliard euro eksporte është impresionuese dhe po e arritëm do të kemi një kuotë shumë të lartë në rajon. Por për të arritur këtë shifër, duhet një strategji të mirë zhvillimi”. Sipas ekspertit, një nga të metat tradicionale të dekadës së fundit ka qenë se “nuk kemi patur strategji tregu, nuk njihnim potencialet tona. Pavarësisht rritjes gjigante të eksporteve, që janë realitet, nuk duhet shmangur fakti që janë rritur edhe importet, ndërkohë që deficiti tregtar është thelluar me 580 milionë euro. Kjo do të thotë që ka nevojë për produkte, dhe për rritje të prodhimit primar”. Shqipëria sipas tij i ka të gjitha potencialet për të konkurruar. “Jemi lider në eksportet e perimeve në rajon, sepse vendet e tjera nuk kane klimën e duhur, ndërkohë që Myzeqeja e ka ideale, si në Spanjë, por nuk kemi organizimin e duhur për të aksesuar në tregjet më të rëndësishme. Fermeri di mirë të prodhojë dhe të punojë tokën, por po mori një orientim të gabuar, atëherë ne kemi dështuar në ekonominë bujqësore, kemi dështuar me familjet e 352 fermave në Shqipëri. Sipas tij, “për këtë arsyeje duhet të dimë çfarë dëshiron realisht Europa, për këtë duhet të përfshijmë edhe ajkën e akademikëve të sektorit, janë këto që do të na çojnë te 1 miliardi”, si dhe rikthimi i statistikave në Ministrinë e Bujqësisë, diçka që sipas tij mungon prej vitesh. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos