
Negociatorët rusë kanë paraqitur kërkesa të gjera për një marrëveshje që synon t'i japë fund luftës në Ukrainë, gjatë bisedimeve në Abu Dhabi. Sipas gazetës gjermane “Bild”, propozimet e Moskës shkojnë përtej territorit ukrainas dhe synojnë krijimin e një “rendi të ri të sigurisë europiane”.
Propozimet jozyrtare, të cilat u janë përcjellë përfaqësuesve europianë në Abu Dhabi, përfshijnë kërkesa që Finlanda të largohet nga NATO, si dhe ndalimin e vendosjes së bazave ushtarake të Aleancës në shtetet baltike: Estoni, Letoni dhe Lituani.
Sipas raportimit të “Bild”, në këmbim të përfundimit të luftës, Rusia kërkon të mbajë të gjitha territoret ukrainase që aktualisht kontrollon, si dhe të marrë të gjithë rajonin e Donbasit. Kjo do të nënkuptonte që Ukraina të hiqte dorë edhe nga zonat e mbetura të rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut, të cilat vazhdon t'i kontrollojë.
Propozimi parashikon gjithashtu çmilitarizimin e porteve të Odesës dhe Mikolajivit, duke ndaluar përdorimin e tyre si baza detare. Ndërkohë, do të vendoseshin marrëveshje të veçanta për garantimin e lirisë së lundrimit në Detin e Zi dhe Detin Baltik.
Një tjetër kërkesë e Moskës është që Ukraina të mbetet përgjithmonë neutrale dhe të heqë dorë nga anëtarësimi në NATO, ndërsa të mos i mbyllet rruga drejt Bashkimit Europian.
Kërkesat ruse shtrihen edhe te Finlanda, e cila do të duhej të rikthehej në statusin që kishte përpara anëtarësimit në NATO. Po ashtu, Moska kërkon ndalimin e bazave ushtarake të Aleancës në tri shtetet baltike.
Sa i përket Moldavisë, plani parashikon krijimin e një republike federale, të përbërë nga territori kryesor moldav, Transnistria dhe Gagauzia. Në rast se Moldavia do të anëtarësohej në Bashkimin Europian, Transnistria dhe Gagauzia do të kishin të drejtën të zhvillonin referendume për pavarësi.
Në këmbim të këtyre kërkesave, pala ruse ofron tërheqjen e armëve bërthamore nga Bjellorusia dhe heqjen dorë nga vendosja e raketave me rreze të mesme veprimi në këtë vend.
Sipas “Bild”, këto janë propozime jozyrtare të paraqitura gjatë negociatave dhe jo një marrëveshje e arritur mes palëve.
(A2 Televizion)