
Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka reagua pak pasi kryeministri Edi Rama lëshoi një sërë akuzash ndaj saj për mënyrën se si e drejton bashkinë më të madhe në veri të vendit.
Sipas Voltana Ademit, Rama tregoi frikën për humbjen e pushtetit dhe se pa 8 vitesh dështime e vetmja gjë që i ka mbetur janë sulmet ndaj opozitës.
“Sot nga Shkodra ai më sulmoi më gjuhën dhe fjalorin e vetëm që ai njeh, atë të fyerjes dhe sharjes. Shkodra e qytetarisë dhe e kulturës nuk e ka pranuar as në kohët e egra të komunizmit arrogancën e pushtetit. Aq më pak mund ta pranojë sot. Duke sulmuar Shkodrën, qytetarët e saj dhe mua si kryetare e bashkisë, Edi Rama nuk bën gjë tjetër vetëm se dëshmon frikën dhe dobësinë e dikujt që po jeton ditët e fundit të pushtetit.
Njeriu që nuk ka mbajtur asnjë premtim dhe që e ngeci Shqipërinë për 8 vjet, sot sillet rrugëve të vendit me arrogancë, por lodhet më kot. Ai e ka të qartë se në 25 prill do të largohet me votën masive të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë.
Sepse ndryshimi po vjen dhe shqiptarët mezi po e presin. Ne 25 prill Rama dhe arroganca e tij do te largohen dhe Shqipëria qytetare do të fitojë”, shprehet Ademi. (A2 Televizion)