Udhëheqësit talebanë rikthehen në vend, militantët premtojnë më shumë të drejta për gratë

Nga A2 CNN
18 Gusht 2021, 10:49 | Bota
Udhëheqësit talebanë rikthehen në vend, militantët

Më shumë se 2200 diplomatë dhe civilëve të tjerë janë evakuuar nga Afganistani më avionë ushtarakë pasi talebanët morën kontrollin e plotë të Afganistanit. Militantët thonë se duan paqe, se nuk do të hakmerren ndaj armiqve të vjetër dhe do të respektojnë të drejtat e grave brenda kornizës së ligjit Islamik. Por mijëra afganë, shumica e të cilëve kanë ndihmuar koalicionin e drejtuar nga SHBA përgjatë dy dekadave, janë të dëshpëruar të largohen.

“Po vazhdojmë me ritme të shpejta, deri më tani pa probleme të mëdha logjistike dhe kemi arritur të largojmë nga vendi mbi 2200 staf diplomatik, të sigurisë së jashtme dhe afganë që kanë punuar për ambasadat”, tha zyrtar i sigurisë.

Talebanët, të cilët luftojnë që prej 2001-shit për të dëbuar forcat e huaja morën kontrollin e Kabulit të dielën, pas një ofensive të stuhishme, nën sfondin e tërheqjes së trupave amerikanë. Teksa konsolidojnë pushtetin, një prej liderëve dhe bashkëthemeluesve të grupit ekstremist Mullah Abdul Ghani Baradar, u rikthye në Afganistan për herë të parë në 10 vjet.

Videot e postuara në rrjetin social Twitter treguan njerëz që brohorisnin dhe gëzonin, teksa Baradar mbërrin në aeroportin e Kandaharit nga Qatari, ku ishte në ekzil.

Ndërsa Baradar po rikthehej në vend, militantet mbajtën konferencën e parë për shtyp që prej hyrjes në Kabul, duke sugjeruar se do të implementonin ligje më të buta, nga ato që i identifikuan mes viteve 1996 - 2001. Ne qeverinë e re gjithëpërfshirëse që siç thanë do të krijohet së shpejti, do të ketë vend edhe për gratë.

Zabihullah Mujahid, zëdhënës i talebanëve: “Zyrat e qeverisë do të rikthehen shpejt në funskion. Të gjithë punonjësit, përfshirë gratë, do të rinisin punën në zonat e lejuara nga ligji i Sharias. Në fushën e mjekësisë, arsimit, policisë dhe sektorë të tjerë të shoqërisë ne kemi nevojë për gra”.

Gjatë sundimit të mëparshëm, gjithashtu i mbështetur te ligji Islamik, Sharia, talebanët nuk lejuan gratë të punonin. Vajzat nuk mund të shkonin në shkollë dhe gratë duhet të mbuloheshin plotësisht me burka kur dilnin jashtë, dhe vetëm nën shoqërinë e një të afërmi të gjinisë mashkullore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos