Krimea vijon të mbetet shënjestër e sulmeve ukrainase, me Kievin që kërkon të dobësojë lidhjen infrastrukturore të rajonit me Rusinë.
Këtë të dielë dy shpërthime të fuqishme ndodhën mbi urat kryesore që lidhin Krimenë e pushtuar me pjesë të rajonit të Kherson, i cili po ashtu ndodhet nën kontrollin rus.
Shpërthimet erdhën në të njëjtën ditë kur kryebashkiaku i Moskës tha se një dron ishte rrëzuar duke iu afruar qytetit dhe menjëherë pasi Ukraina goditi një nga cisternat më të mëdha të naftës ruse me një dron kamikaz.




Ushtruesi i detyrës së kreut të rajonit Kherson, Vladimir Saldo, i emëruar nga Rusia, thotë se raketat që goditën dy ura në Krime të dielën ishin të gjitha Storm Shadows, një raketë me rreze të gjatë veprimi të lëshuar nga ajri, me të cilat Britania ka furnizuar Ukrainën.
Saldo tha se dy urat përdoreshin për lëvizjen e civilëve dhe jo mjeteve ushtarake.
Si pasojë e shpërthimeve është krijuar një çarje në një tubacion gazi që kalon përgjatë urës, duke ndërprerë furnizimin për 20,000 banorë të qytetit të Henichesk në Kherson.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës një bombë ajrore ruse goditi një qendër transfuzioni gjaku në rajonin e Kharkivit. Një valë e re e raketave ruse goditi gjithashtu qytete në të gjithë Ukrainën gjatë natës, por shumica e tyre u rrëzuan nga mbrojtja ajrore e Kievit. (A2 Televizion)