Në pesë ditë në qarkun e Elbasanit janë vaksinuar kundër Covid-19 mbi 650 persona, personel të stafit pedagogjik.
Në total, ky qark numëron 1600 të punësuar në sistemin arsimor, duke nisur që nga sistemi parashkollor që janë çerdhet dhe kopshtet.
Sipas kreut të njësive vendore të shëndetit, procesi i vaksinimit po vijon normalisht, pavarësisht hezitimeve dhe refuzimeve të cilat më tepër kanë ardhur si pasojë e mungesës së informacionit të duhur.
Për këtë arsye, drejtori i kujdesit parësor, Xhevair Budani, orienton mësuesit mbi verifikimet që duhet të bëjnë përpara se të marrin vaksinën.

“Çdo mësues para se të kryejë vaksinimin plotëson një formular, nën kujdesin e një mjeku, që përcakton në qoftë se mësuesi duhet ta kryejë atë apo jo. Kanë qëlluar mësues që kishin kaluar covid-in, dhe i është këshilluar ta bëjnë më vonë”, thotë për A2 Budani.
Procesi i vaksinimit po vijon paralel edhe në bashkitë e tjera të qarkut, në mënyrë që mësuesit të mos mblidhen në një pikë. Ndërsa pritet që të hapet edhe një qendër tjetër vaksinimi pranë universitetit “Aleksandër Xhuvani”. (A2 Televizion)