
Lamtumira e fundit për minoritarin grek Konstandin Kaçifa u kthye në thirrje antishqiptare dhe parulla për Vorio-Epirin.
Ndonëse në kufi u ndaluan disa persona, në varrimin e tij morën pjesë me dhjetëra ekstremistë grekë të cilët arritën të futeshin në territorin shqiptar. Arkmorti i 36-vjeçarit të veshur me uniformë ushtarake u la hapur dhe u shoqërua me thirrje antishqiptare nën flamurin e përgatitur në të cilin shkruhej Vorio-Epiri është Greqi.
Në Bularat nuk kishte asnjë forcë policore nën uniformë, kjo për të shmangur dhe incidente të mundshme. Në fshat ishin vetëm agjentet e antiterrorist të cilët identifikuan disa prej ekstremistëve grekë dhe personave që mbanin parulla fyese ndaj shqiptarëve por dhe persona me uniformë ushtarake.
Pas përfundimit të ceremonisë mortore, të pranishmit bllokuan për disa minuta aksin Gjirokastër – Kakavijë, por pa incidente. Në total, policia procedoi në gjendje të lirë 12 persona mes tyre anëtarë të Agimit të Artë në Greqi, për thirrje antishqiptare dhe që nxisin dhunë e urrejtje. (A2 Televizion)