“Vdekja e kalit”, rijetëzimi i një filmi

Nga A2 CNN
25 Shtator 2021, 15:16 | Aktualitet

Ishte koha kur filmi ishte një zë i rëndësishme në kulturë. Ku hidheshin para për të shprehur ideologjinë komuniste, por “Vdekja e kalit” do të ishte filmi që do të thyente barriera. I pacensuruar, i lirë, njëlloj si 400 kuajt që vrapojnë në fillim të filmit, kështu nisi të krijohej “Vdekja e kalit”.

Vështirësitë ishin të mëdha. Filmi ishte pa para, u ndërpre dhe rinisi puna për të disa herë. Regjisori tregon për A2 CNN se beteja e tij artistike jo pak herë ka hasur materialisht pengesa.

“ Filloi pa censurë, asnjëri nuk e kishte mendjen te filmi, kërkova 400 kuaj dhe mi dhanë, ishte akoma në pushtet PPSH dhe mendonin se po bëja një film për komunizmin. I preva në besë, por nuk jam penduar se tregova të vërtetën. Nuk kishte financim, por thjesht pasion, edhe çarçafët i sillnim nga shtëpia ”, thotë regjisori Saimir Kumbaro.  

Fabula e filmit ishte një histori e vërtetë që qarkullonte korridoreve të kinostudios. Duhej vetëm një mendje dhe penë e bukur për ta formësuar e për ta shkruar.

“Ishte fundi i gjithçkaje, e bëmë nga pasioni”, shton Timo Flloko.

Menjëherë pas përfundimit të skenarit, Saimir Kumbaro i kishte të qarta portretet e aktorëve që do të mund ta realizonin këtë produksion kinematografik.

Saimir Kumbaro dhe Tmo Flloko

Ndonëse me një skenar të bukur, guximi për të kundërshtuar një sistem politik që nxiste luftën e klasave nuk mjaftonte. Regjisori kërkonte që aktorët të guxonin për të realizuar një skenë dashurie, një skenë në shtrat, një skenë që kinemaja shqiptare nuk e kishte xhiruar asnjëherë më parë.

“Duke menduar nuk do kishte skena të tilla, sepse u bëra koshiente që në këtë tragjedi njerëzore, me një dhimbje të madhe, duhet të kishit edhe një dashuri të madhe, ishte dita e fundit të xhirimeve që bëmë skenën e krevatit me Timon. Nuk luajtëm dubël, sepse nuk kishim film, një gjë absurde po ta mendosh tani”, thotë Rajmonda Bullku, ndërkohë që regjisori Kumbaro kujton se i gjithë filmi u xhirua me 1 2kilomtra film, “ndërkohë që një film i Gianni D’Amelio në Itali kërkonte më shumë se 100 kilometra”.

Protagonistët të revoltuar ndaj sistemit të kohës, thyen edhe barrierat e vetes. Duke realizuar këtë film.

Rajmonda Bulku

Dashuria për filmin i bëri sërish bashkë, jo vetëm për të festuar gati tri dekada suksesi, por edhe për t’i dhënë dinjitet një produksioni që theu barrierat e vendosura deri atëherë. Sepse filmi është shpëtuar. Ai është restauruar nga Arkivi Qendror i shtetit.

Sot, pas 30 vitesh, Shqipëria vuan ende shenjat e plagëve që mori asokohe, gjatë komunizmit. Dhe A2 bashkohet me protagonistët jo vetëm për të ndarë emocionet e një filmi që i ka mbijetuar kohës, por, edhe për mesazhet që vazhdon të përcjellë për të mos e harruar të shkuarën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos