Manastirliu apel për t’u vaksinuar me fjalët e Papa Françeskut: Është një akt dashurie. Na afron fundin e pandemisë

Nga A2 CNN
25 Shtator 2021, 12:32 | Aktualitet
Manastirliu apel për t’u vaksinuar me fjalët e Papa

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu u ka bërë apel qytetarëve që të vaksinohen, bazuar edhe nga shifrat më të fundit që tregojnë rritje të numrit të viktimave. Nëpërmjet një mesazhi ku citon fjalët e Papa Franceskut, Manastirliu thekson se vaksinimi është mënyra më të shpejtë për t’iu afruar fundit të pandemisë.

"Mos e neglizhoni vaksinimin duke dëgjuar broçkullat e kujt nuk ka as edhe një minimum humanizmi dhe përgjegjshmërie. Sfida që disa i bëjnë shkencës dhe mjekësisë, refuzimi për të pranuar mendimet e ekspertëve më të mirë në botë, që thonë se vaksina është arma më e fuqishme që ka sot njerëzimi, është një mendjelehtësi që ka pasoja të rënda. Dhe pasojë më të rëndë se sa humbja e jetës, unë nuk di të ketë. Ndaj sot dua t’ju drejtohem jo vetëm si Ministre e Shëndetësisë, por dhe si vajzë, si motër dhe si nënë, të gjithë atyre që ende nuk janë vaksinuar. Vaksinohuni për të shpëtuar jetën tuaj dhe të njerëzve tuaj të afërm. Bota ka çrrënjosur shumë sëmundje, përmes vaksinave. Edhe në luftën me armikun e padukshëm, mënyra më e shpejtë për t’iu afruar fundit të pandemisë, është përsëri vaksina! Vaksinimi, siç thoshte pak ditë më parë Papa Françesku është një akt dashurie’. Një akt dashurie për veten, për prindin, për njerëzit e dashur”.

Ministrja theksoi se shumica dërrmuese e të shtruarve në spital janë të pavaksinuar. Sipas saj të dhënat e rasteve të prekura, tregojnë efikasitetin e vaksinave anticovid.

"Edhe pse shifrat e infeksioneve të shkaktuara nga Covid-19 kanë pësuar një ulje të lehtë në ditët e fundit, për fat të keq, e njëjta gjë nuk ka ndodhur me fatalitetet. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalet tona Covid, shumë qytetarë nuk kanë mundur të fitojnë betejën për jetën. Sipas raportimit nga spitalet COVID 95 % e rasteve shtrimeve në spital janë të pavaksinuar. Po kështu shumica dërrmuese e viktimave në Spitalet Covid, janë jetë njerëzish që e humbën luftën, për shkak të mosvaksinimit. Incidenca e rasteve të cilët janë vaksinuar dhe kalojnë sëmundjen pavarësisht nëse janë shtruar ose jo në spital, është 22 herë më e ulët në krahasim me incidencën e rasteve, të cilët nuk janë vaksinuar. Gjë e cila tregon vlerën që ka vaksinimi. Fakti që në të dhënat tona javore incidenca e sëmundjes është tepër e lartë tek të pavaksinuarit, si matje rezulton 20-30 herë më e lartë, tregon efektin domethënës të vaksinave".

Manastirliu njoftoi se stafet mjekësore do të jenë në gatishmëri në çdo orë të ditës dhe të javës, përfshirë të shtunën dhe të dielën.

Vaksinimi anticovid vijon në çdo qendër shëndetësore dhe pikë vaksinimi të përqëndruar, çdo ditë të javës, ku çdo qytetar +18 vjeç mund të vaksinohet me kartën e identitetit. Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,693,555 doza të vaksinës ndaj COVID19, ndërsa 760,960 qytetarë i kanë kryer të dy dozat e vaksinës. Deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,045,310 vaksina antiCOVID. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos