
Prej 1 korrikut, efektivët që punojnë jashtë vendbanimit do të marrin bonus mbi pagën. Një bonus që pritet të ketë impakt, pasi do të përfitojnë rreth 40% e efektivëve të Policisë.
Vendimi u mor në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave, që në mungesë të kryeministrit Edi Rama - i pranishëm në samitin e NATO-s në Madrid - drejtohej nga zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.
Praktikisht, në bazë të ndryshimeve të vendimit nr.256, datë 25.3.2015, të Këshillit të Ministrave, “Punonjësi i Policisë së Shtetit, kur emërohet, transferohet në mënyrë të përhershme apo të përkohshme jashtë vendbanimit të tij, përfiton pagesë për kompensim udhëtimi, si më poshtë vijon:
a) Nga 36 km deri 60 km, në masën 10 000 lekë në muaj;
b) Nga 61 km deri 100 km, në masën 15 000 lekë në muaj;
c) Nga 101 km deri 150 km, në masën 20 000 lekë në muaj;
ç) Nga 150 km deri 200 km, në masën 25 000 lekë në muaj;
d) Mbi 200 km, në masën 30 000 lekë në muaj”.
Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, fillojnë nga data 1 korrik 2022. (A2 Televizion)