
Analisti Afrim Krasniqi ishte i ftuar në Ditarin e mbrëmjes në A2, ku bëri një analizë të detajuar të vizitës së kryeministrit Edi Rama në Turqi dhe të deklaratave që kreu i qeverisë bëri së bashku me presidentin Erdogan gjatë konferencës së përbashkët për shtyp.
Për zotin Krasniqi, Edi Rama bëri një deklaratë të pavërtetë, kur tha se Bashkimi Europian i mbylli kufijtë dhe për ndihma gjatë periudhës më të vështirë të pandemisë në muajt e parë të 2020.
“Mendoj që pjesa e parë e deklaratës është korrekte. Turqia është një aleat strategjik. Mendoj se Shqipëria ka tre aleatë strategjikë që janë Turqia, Italia dhe Greqia. Kjo është vizita e vetme zyrtare që Rama ka zhvilluar në 5 muajt e fundit pasi ai nuk ka marrë dhe ftesa nga kancelaritë europiane.
Elementët e sotme të vizitës treguan se zoti Rama më shumë mendon për periudhën afatshkurtër, fushatën zgjedhore, se sa për politikën e jashtme të Shqipërisë.
Të shkosh në Turqi dhe të kritikosh Bashkimin Europian nga Ankaraja, që është një nga kryeqytetet më të kritikuara nga Bashkimi Europian, për diçka që nuk është e vërtetë, nënkupton që bën një deklaratë që më shumë krijon hije, në bashkëpunimin e ardhshëm dhe në rolin e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme se sa me standardet europiane që kërkon të promovojë Shqipëria.
Bashkimi Europian ka qenë dhe mbetet donator kryesor i Shqipërisë. Dhe nëse i kthehemi kronikave të muajve më parë, donacionet e muajit mars ishin në shifra historike. Të mbajmë parasysh se asnjë prej këtyre ndihmave nuk lidhet me karakter fetar, me elementë historikë të historisë dhe me konceptet e hegjemonisë së të kaluarës”, tha Krasniqi.
Më tej analisti Krasniqi deklaroi se kryeministri Rama duhet të japë shpjegime dhe deklaratat në lidhje me organizatën FETO. Ai e konsideroi një lajm të mirë ndërtimin e një spitali të ri në Fier edhe pse vjen në një kohë fushate.
“Për një vend si të vogël si Shqipëria marrëveshje të tilla nuk kanë ndonjë rëndësi të madhe. Bashkëpunim strategjik kemi dhe me Kosovën, RMV por nuk kemi produkt. Sot ajo që ishte e dukshme dhe që ka nevojë për sqarim janë bisedimet e zhvilluara. Sot për herë të parë u tha që organizata FETO dhe investimet e saj janë kërcënim për dy vendet.
Në Shqipëri nuk është thënë ndonjëherë kjo dhe nuk është parë ndonjëherë si kërcënim për stabilitetin dhe sigurinë e vendit. Lajm i mirë është premtimi për ndërtimin e një spitali të ri në Fier, pavarësisht se bëhet në periudhë elektorale”, përfundoi Krasniqi. (A2 Televizion)