Pas konferencës së sotme për shtyp të Elisa Spiropalit, e cila u përjashtua një ditë më parë nga grupi socialist, gazetari Roland Qafoku deklaroi në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN, se disa deputetë socialistë e kanë telefonuar atë, duke i kërkuar të mos publikonte emrat e tyre.
Sipas Qafokut, kjo tregon mungesën e demokracisë së brendshme në Partinë Socialiste dhe frikën e deputetëve për të shprehur hapur qëndrimet e tyre.
“Lajmi sot është se, pas konferencës së zonjës Spiropali, e kanë marrë disa deputetë. E kanë telefonuar zonjën Spiropali dhe i kanë thënë: ‘Aman, mos ma nxirr emrin’. Kjo është më e rënda akoma”, u shpreh Qafoku në Off the Record me Andrea Dangllin në A2 CNN.
Sipas tij, problemi qëndron te mungesa e demokracisë brenda partive politike, pasi edhe PD i ka përjashtuar zërat kundër.
“Ne nuk kemi demokraci brenda partive që janë bashkim vullnetar dhe tani kërkojmë gjëra të jashtëzakonshme në qeveri. Jo, një qeverisje e mirë lind nga një parti që ka disa rregulla. Si do vijë Partia Demokratike në pushtet me këtë demokraci kur i ka përjashtuar ata që kanë folur kundër dhe si sot qeveris Partia Socialiste me një zë si Elisa Spiropali”. (A2 Televizion)