
Një muaj pas plagosjes së tij në sy, gjatë protestës së 24 Tetorit, Erion Vishkulli u paraqit për të dhënë deklarime pranë Prokurorisë së Tiranës, që po heton ngjarjen. Për rreth 2 orë, ai iu përgjigj pyetjeve të prokurorëve, ndërsa theksoi se kërkon drejtësi, jo mëshirë.
Erion Vishkulli u paraqit të mërkurën pranë Prokurorisë së Tiranës, lidhur me hetimin e nisur nga organi i akuzës pas plagosjes së tij në sy gjatë protestës së 24 Tetorit, ku dyshohet se 28-vjeçari mbeti i lënduar nga përdorimi i plumbave të gomës nga ana e forcave të rendit.
Për rreth 2 orë, i riu iu përgjigj pyetjeve mbi dinamikën e asaj ngjarjeje, teksa Prokuroria e Tiranës po heton për shpërdorim detyre dhe kryerje të veprimeve arbitrare nga ana e uniformave blu, në kundërpërgjigje ndaj protestuesve.
Deklarimet e tij në prokurori u regjistruan rreth 1 muaj pas ngjarjes, ndërsa protestuesit po përgatiten për një tjetër manifestim të rëndësishëm për nga pjesëmarrja, të shtunën e 28 Nëntorit.
Pas lëndimit në sy, Erion Vishkulli u dërgua për ndërhyrje të specializuar në Itali, nga ku Prokuroria po pret edhe një përgjigje zyrtare, lidhur me trupin e huaj që mjekët hoqën nga syri i tij, i dyshuar si plumb gome. (A2 Televizion)