Ilir Alimehmeti, anëtar i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike, komentoi daljen e sotme përpara mediave të Elisa Spiropalit, e cila dje u përjashtua nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste.
“Është e habitshme se si pas pothuajse 13-14 vitesh, ne kemi një situatë ku një person bashkëpunëtor shumë i ngushtë i Edi Ramës, përfitues bashkë me të në kurriz të të gjithëve ne, në kurriz të së ardhmes shqiptare, se kujtoj që ka mbajtur postet më të rëndësishme brenda qeverisë e Parlamentit, në një moment të caktuar dalin këto situata “heroike”. Se pse bëjnë garat e veta brenda partisë ato i dinë ata, është e drejta e gjithësecilit nga pikëpamja politike. Por, elementi që vumë re ishte një hapje procedure penale rrufe pas një dalje publike të saj. Nuk na bën shqetësimin pjesa politike këtu, por na shqetëson pjesa e drejtësisë këtu. Çne kjo koinçidencë kaq e madhe? A është pra drejtësia duke u përdorur si një lloj shkopi nga qeveria, nga Edi Rama? Se kjo është diçka që na shqetëson të gjithëve, se i duam institucione të drejta e të pavarura. Por, kjo na tregon që nuk qenka kështu, të paktën në këtë rast, dhe hap shumë diskutime të mëdha dhe për raste të tjera. Dhe nga krahu tjetër nëse ato akuza i ka të vërteta, unë jam një njeri i cili politikën nuk e besoj në fjalime, e besoj në veprime. Pra, nëse paska akuza për dëme të mëdha dhe korrupsione të mëdha që i janë bërë këtij vendi, unë di që duhet të përgatisësh këto akuza dhe t'i çosh te organet kompetente të drejtësisë ashtu siç janë. Sepse nëqoftëse i ke dhe i përdor vetëm për fjalime, ka dhe një situatë tjetër ligji, që thotë që krim është edhe moskallëzimi i krimit”, tha Alimehmeti i ftuar në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Sipas tij, akuzat për korrupsion që kanë për njëri-tjetrin në Partinë Socialiste, duhen dërguar në organet kompetente.
“Një njeri që ka marrë pjesë që demokracia në atë parti të vdesë, nuk ka më të drejtë mbrapa të flasë sepse është një nga faktorët që ka shkaktuar vrasjen e demokracisë brenda partisë. Nëse ke qenë aktor kryesor në këtë situatë që ka ndodhur sot, nëqoftëse je penduar seriozisht, nuk drejton gishtin vetëm tek një person, por pendohesh dhe pendesa do të thotë që edhe ti je pjesë e këtij faji. Tregon fajin tënd aq sa është. 1%, 5% apo 40% aq sa është. Akuza ishte për korrupsion. Në fund fare, kjo na intereson sepse po qeverisim vendin këta. U bë viti i 14. Nëse këta kanë akuza për korrupsion për njëri-tjetrin, për Edi Ramën, për këdo tjetër, të shkojnë dhe t'i çojnë përpara organeve. Jo të përdoren këto si një lloj shantazhi. Këto janë disa lloj telenovelash ku ne jemi njëkohësisht vuajtësit dhe shikuesit e këtyre ndodhive. Jemi vuajtësit të gjithë ne, të majtë, të djathtë, me parti, pa parti, sepse jemi nën këtë lloj qeverisjeje. Shumë mirë që dikush është penduar, e drejta e atij që të pendohet, por që të pendohesh do të thotë që ke bërë një faj dhe e pranon edhe te vetja jote. Nuk mbahet përgjegjësia duke dhënë një fjalim. Duhet dokumentim. Të dorëzohet, bashkëpunëtor i drejtësisë. Nëse pendesa është reale, ka nevojë edhe për një akt konkret që e tregon që kjo është reale. Fjalimet mund t'i shkruajnë shumë bukur, veprimet tregojnë”, shtoi Alimehmeti.
(A2 Televizion)