Një sfilatë veshjesh që më së shumti i ngjau një shfaqje cirku. Ishte kjo forma me të cilën grupi i famshëm i modës italiane, “Valentino”, zgjodhi për të prezantuar koleksionin e tij vjeshtë/dimër 2020-2021.
Fustane të bardha në një sfond të zi, ndërsa modelet qëndronin në ajër dhe një lojë perfekte dritash. Stilisti i Valentinos, Pierpaolo Piccioli e realizoi sfilatën e quajtur “Hir dhe dritë” në një studio filmike në Cinecitta në Romë, duke bashkëpunuar me fotografin britanik Nick Knight, i cili në fakt punoi gjatë gjithë kohës nga Londra dhe nuk i pa në asnjë moment fustanet nga afër.
Gjatë show-t u shfaqën 15 fustane të bardha, të rënda, veç njërit prej tyre i cili ndryshonte në stil nga të tjerët dhe derdhej në thekë ngjyrë argjendi. Shumica e tyre ishin 4 deri në 5 metër të gjatë. Për realizimin e fustaneve u deshën rreth 4 mijë orë për t’i punuar me dorë një e nga një dhe u përdorën 350 metër copë. Stilisti u tha gazetarëve, në një komunikim virtual, se për shkak të pandemisë, puna ishte pezulluar dhe nuk kishin kërkesa për prodhim, por shfaqja e tij kërkonte të sillte një mesazh shprese dhe pozitiviteti.
“E gjithë kjo erdhi në një moment shumë të vështirë, por unë mendoj që puna jonë më tepër sesa një pasqyrim i momentit është një reagim ndaj tij. Moda është e bërë për emocione. Nuk është për të ecur, është për të ëndërruar”, shprehet Pierpaolo Piccioli.
Pasi u detyruan të anulojnë eventet e planifikuara për publikimin e linjave të reja dhe më ndërmarrjet e prodhimit të mbyllura për shkak të pandemisë koronavirus, shumë shtëpi mode i sollën krijimet e tyre te publiku në formën e filmit të videove e mënyra të tjera nga më kreativet. (A2 Televizion)