
Njëmbëdhjetë vjet pritje për t’u rikthyer si Vllaznia e madhe. Mes të gjitha problematikave që shoqëruan vitin 2020, në Shkodër kanë arsye për të qenë entuziastë. Kuqeblutë janë rikthyer në nivelet e një skuadre të madhe. Fituese në fushën e lojës dhe me një projekt të rëndësishëm, që jep garanci jo vetëm për të tashmen, por edhe për të ardhmen. Në periudhën e ndërrimit të viteve, Vllaznia e sheh veten si kryesuese e Kategorisë Superiore. Titulli i kampiones së dimrit, nëse do të ishte një trofe, do të kishte përfunduar në palmaresin e klubit historik shqiptar.
Një ndjesi e harruar në Shkodër prej 11 vitesh. Për herë të fundit, skuadra ndodhej në këto pozita në sezonin 2008-2009, që përkon edhe me vitin e fundit kur kanë luftuar për titullin kampion. Në atë periudhë, kuqeblutë kishin grumbulluar 34 pikë në 17 javë të kampionatit. Tirana ndjekëse kishte 4 pikë më pak, por në fund të sezonit, “Klasikja” e futbollit shqiptar u fitua nga bardheblutë, që ngritën edhe titullin e 24-t kampion.
Vllaznia e këtij sezoni ka kaluar çdo parashikim. Nga mbijetesa në finalen e “play out” te një edicioni më parë, te rindërtimi i plotë i skuadrës. Mbi 30 futbollistë në provë. 17 afrime të reja gjatë merkatossë verës, 10 lojtarë të larguar, mes të cilëve kapiteni Gilman Lika, Ndriçim Shtubina apo portieri Alen Sherri.
“Kur erdha gjeta një situatë të vështirë, edhe kushtet nuk ishin më të mirat. Por, kemi mbërritur shumë për të arritur këtu ku jemi. Na duhet të punojmë dhe ta zhvillojmë këtë skuadër për të ecur më përpara. Nuk duhet të shohim vetëm rezultatet, por të bëjmë më të mirën që ekipi të rritet”, thotë Thomas Brdarić, trajner i Vllaznisë.
Vllaznia dukej një kantier i hapur. Një skuadër ku po niste një projekt afatgjatë, frytet e të cilit do të vinin më vonë në kohë. Nga gushti deri në nëntor, pakkush do të vinte bast që ky ishte një ekip i cili do të kryesonte bindshëm në kampionat, apo që mund të rivalizonte për titullin, madje, edhe vetë arkitektët e Vllaznisë. Merita është pikërisht e tyre: sponsori Alban Xhaferi, drejtori sportiv Matko Djarmanti, që në bashkëpunim me trajnerin Thomas Brdarić, kanë ndërtuar një kontingjent të jashtëzakonshëm.
Një skuadër që luan futboll të bukur dhe qëndron me këmbë në tokë. Objektivi i shpallur në fillim të sezonit ishte gara për kupat e Europës. Edhe tani që janë në krye, në Shkodër nuk preferojnë të flasin ende për titullin. Hapat duan t'i hedhin me kujdes, një nga një. Nëse do të jenë ende aty, do të provojnë gjithçka t'i kthejnë Shkodrës buzëqeshjen e munguar.
Eksperienca ndërkombëtare e trajnerit Brdarić ka qenë vendimtare. Si futbollist, ai ka luajtur në finalen e Champions League me Bayer Leverkusen në vitin 2002, ku ishin surpriza e turneut dhe u thyen nga Reali i Madridit. Me Kombëtaren e Gjermanisë, për të cilën debutoi në vitin 2002, ka marrë pjesë në fazën finale të Euro 2004, ndërsa ishte pjesë e ekipit edhe në Kupën e Konfederatave, në vitin 2005.
Shkodra është shndërruar në skenën ideale ku trajneri mund të shkëlqejë, ku pas aventurave në klubet e profilit të ulët, duke përjashtuar ekipin e dytë të Wolfsburg-ut apo Shkëndijën e Tetovës, në vitin 2017. Këtu, Brdarić ndërtoi një projekt, që duket në rrugë të mbarë. Ende pa kaluar gjysma e sezonit trajneri ka hyrë në histori. Ndërkohë, Shkodra është në ekstazë për rikthimin në çatinë e futbollit shqiptar. Tifozët i ndjekin ndeshjet dhe festojnë së bashku pavarësisht masave të distancimit social. Me ekipin që fiton, të gjithë duan të jenë në stadium, edhe pse ndonjëherë e kanë tepruar, si në sfidën me Partizanin. Askush nuk mund t’i bëjë me faj: për herë të parë në 11 vjet, Vllaznia e sheh veten kampion dimri dhe tashmë, edhe mes kandidatëve kryesorë për titullin. (A2 Televizion)