
Gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit në Vlorë, prej 10 ditësh janë të mbyllura për shkak të rasteve të konfirmuara me Covid-19 mes gjyqtarëve dhe administratës së këtyre gjykatave.
Për rrjedhojë, në këto dy institucione janë ndërprerë të gjitha proceset gjyqësore, me përjashtim të atyre të karakterit urgjent. Kjo ka bërë që të thellohet akoma më shumë zvarritja e gjyqeve, si ato penale, ashtu edhe ato civile.
E ndërsa, Gjykata e Shkallës së Parë ka rifilluar punën ditën e mërkurë, pezullimi vazhdon në Gjykatën e Apelit të Vlorës, ku këshilli i gjykatës mori vendimin për pezullimin e punës deri më datë 20 nëntor.
Në këtë gjykatë, parashikohet të shtyhen rreth 200 çështje penale dhe civile.
Ndërkohë, Covid-19 ka filluar të mbyllë edhe institucione të arsimit parashkollor. Mëngjesin e së mërkurës, Inspektorati Shtetëror Shëndetësor i Vlorës, vendosi mbylljen e kopshtit nr. 9, pasi kanë rezultuar edukatore me Covid-19.
Ky është kopshti i tretë që mbyllet nga autoritetet shëndetësore në qytetin e Vlorës. (A2 Televizion)