
Në prag të festave të Nëntorit, në Negroc të Drenasit është përuruar lapidari kushtuar Jakup Krasniqit dhe UÇK-së. Obelisku, i vendosur në hyrje të fshatit, mban mbishkrimin “Mirë se vini në fshatin e Jakup Krasniqit”, si dhe fotografitë e tij dhe të komandantit Adem Jashari. Në ceremoni morën pjesë familjarë, bashkëluftëtarë, veteranë dhe qytetarë.
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, vlerësoi kontributin e Krasniqit në çlirimin dhe shtetndërtimin e Kosovës, duke shprehur bindjen se ai dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së do të lirohen nga Gjykata e Hagës.
“Baci Jakup ka dhënë kontribut shumë të çmueshëm në shtetndërtimin, në çlirimin e vendit, shtetndërtimin e vendit dhe tash po përballen padrejtësisht në Gjykatën e Hagës dhe unë personalisht shpresoj me bindje të madhe se Apeli do t’i lirojë, sepse heronjtë tanë Baci Jakup, Hashimi, Kadria, Rexha, Cali dhe të tjerët janë heronj të lirisë së Kosovës”.
Në emër të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Xhavit Jashari tha se Jakup Krasniqi ishte shembull i qëndresës dhe sakrificës, ndërsa theksoi se katër ish-krerët e UÇK-së po mbahen padrejtësisht në Hagë.
“Baci Jakup ishte vetë njeriu i sakrificës, për kundër vuajtjeve në burgjet e pushtuesit, qëndroi stoik, i pathyeshëm. Pas të gjithë këtyre vuajtjeve, ishte zëdhënësi i projektit më të madh të përmasës kombëtar; i luftës së lavdishme të UÇK. Ku falë kësaj lufte Kosova është e lirë”.
Në këtë ceremoni foli edhe djali i Jakup Krasniqit, Altini, i cili falënderoi të gjithë ata që kontribuan në realizimin e lapidarit dhe që vazhdojnë të tregojnë mbështetje për familjen e tij.
“Për ne kjo mbështetje ka një domethënie të veçantë, na jep forcë dhe na dëshmon që solidariteti dhe mirënjohja e njerëzve mbeten të palëkundura edhe në kohë të vështira. Shpresoj dhe besoj që drejtësia do të triumfojë dhe të gjithë çlirimtarët do të kthehen sa më parë në atdheun e tyre”.
Jakup Krasniqi ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Më 18 nëntor, ai u kthye përkohësisht në Kosovë me leje të Gjykatës Speciale, për të vizituar bashkëshorten, e cila ishte në gjendje të rënduar shëndetësore. Pas katër ditësh pranë familjes, ai u kthye në Hagë. (A2 Televizion)