
Viti 2019 duket se do të jetë viti i trofeve te Partizani. Kjo pasi vetëm një ditë më parë femrat e volejbollit të kuq u shpallën kampione kombëtare.
Partizani i trajnerit Roland Tarja mundi edhe në finalen e tretë Tiranën duke u kurorëzuar kampion për të dytin vit radhazi.
Finalja e zhvilluar në sallën sportive “Farie Hoti” u fitua 3-2 nga Partizani, pas një dueli mjaft të luftuar dhe që tërhoqi vëmendjen e qindra spektatorëve.
Pas fitimit të Kupës së Shqipërisë, vajzat e kuqe bëjnë të tyren edhe titullin 3 në historinë e klubit. Pasditen e sotme në parketin e ‘Asllan Rusit’ zbresin edhe meshkujt e Partizanit të cilët sfidojnë Vllazninë në finalen e dytë për titullin kampion, teksa e para në Shkodër u mbyll me suksesin e skuadrës së Ylli Tomorrit. (A2 Televizion)