
Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi dënimet për autorët e vrasjes së Tauland Beqirajt, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2021 në Vlorë.
Gjykata la në fuqi dënimin me 14 vite burg për Elton Hajnajn. Ai u dënua me 21 vite burg, por ndaj tij u zbatua gjykimi i shkurtuar, duke përfituar uljen e 1/3-tës së dënimit. Dënimet u lanë në fuqi edhe për dy personat e akuzuar si bashkëpunëtorë të Hajnajt, Skerdian Gabrani dhe Andi Jonuzaj. Gabrani ishte dënuar në shkallën e parë me 6 vite burg, ndërsa Jonuzaj me 4 vite burg.
Për këtë ngjarje u dënua me 6 vite burg edhe miku i viktimës, me iniciale S.Z, i cili pas vrasjes së Beqirajt qëlloi në drejtim të autorëve që u larguan me makinë.
Si ndodhi atentati ndaj Beqirajt?
Vrasja e Taulant Beqirajt u krye në një nga zonat më të populluara të Vlorës, në rrugën Transballkanike, pranë Gjykatës së Apelit. Atentati u krye kur viktima, asokohe 31 vjeç, ishte duke ecur në këmbë në trotuar. Nga pamjet filmike të siguruara, autori i vrasjes zbriti nga një mjet, i maskuar, dhe ka qëlluar me breshëri ndaj Beqirajt duke e lënë të vdekur në vend. Pas vrasjes, autori u përpoq të largohej me makinë, por u arrestua në një prej rrugëve dytësore që të nxjerr në autostradën Vlorë-Fier. Sipas informacioneve të kohës, në momentin e vrasjes, viktima duhej të ishte nën masën e sigurisë “arrest shtëpie”.
Kush ishte Tauland Beqiraj?
Personi i vrarë në Vlorë, këtë të mërkurë, u identifikua nga Policia si Tauland Berqiraj. Policia i gjeti në trup viktimës një kartë identiteti me mbiemrin Gjikaj ndërsa tha se mbiemri i tij ishte Manaj.
Në shkurt të vitit 2017, ai ishte arrestuar për tentativë vrasjeje të kryer në bashkëpunim me persona të tjerë. Por edhe pse fillimisht u la në burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Vlorë, në mars 2018, Gjykata e Apelit ndryshoi masën e sigurisë duke e dërguar në “arrest shtëpie”.
Vetëm 3 muaj më vonë, ai u arrestua përsëri pasi ishte larguar nga banesa ku duhet të qëndronte në arrest shtëpie, si dhe iu gjetën në zotërim armë dhe municione. Por përsëri, Gjykata e Vlorës dha të njëjtën masë sigurie, “arrest shtëpie” për personin me tre mbiemra (Manaj, Beqiraj dhe së fundmi Gjikaj).
Vendimi i atëhershëm i gjykatës u kritikua nga Ministria e Brendshme, që e quajtun të padrejtë lënien në “arrest shtëpie” të një personi përsëritës të veprave penale dhe me rrezikshmëri të lartë. (A2 Televizion)