
Burime për A2 CNN bëjnë të ditur se sot në orën 17:00 në mbledhjen e Këshillit të Ministrave pritet të kalojë buxheti ri. Pas kalimit në qeveri, buxheti do t’i dërgohet Kuvendit të Shqipërisë për shqyrtim dhe miratim.
Socialistët kanë rënë dakord që me 19 nëntor të diskutohet në parim në parlament, ndërsa me 11 dhjetor nen për nen.
Ligji më i rëndësishëm ekonomik i vendit, buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm pritet të arrijë në 9 miliardë euro. Kjo sa nga rrita e të ardhurave, aq edhe nga zhvlerësimi i kursit të këmbimit, përcjell A2 CNN.
Një në katër lekë që do të shpenzohen vitin e ardhshëm do të shkojnë për “mbrojtjen sociale”. Nga rreth 9 miliardë euro në total që përllogaritet buxheti i vitit 2022, rreth 2.6 miliardë euro do të shkojnë për kategori të cilat kanë nevojë për “dorën e shtetit”, shkruan A2 CNN.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale është institucioni që do të marrë më shumë para, mbi 82 miliardë lekë, ndjekur nga Infrastruktura dhe Energjia me mbi 74 miliardë lekë. Mbi 46 miliardë lekë do të shkojnë për Ministrinë e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, ndjekur nga ajo e Brendshme dhe Mbrojtja.
Nuk mund të kemi arsim cilësor në kushtet e nën-financimit publik. Kjo tezë është pranuar edhe nga qeveria. Ndaj Ministria e Arsimit dhe Sportit do të ketë më shumë para në dispozicion vitin e ardhshëm. Nga 62 miliard lekë këtë vit, fondi për edukimin dhe sportin rritet në mbi 68 miliardë gjatë 2026-s.
Për vitin që vjen pritet të ketë më shumë buxhet për sigurinë, si detyrim edhe ndaj politikave të NATO-s. Po ashtu pritet rritje e fondeve për shëndetësinë, bujqësinë dhe infrastrukturën rrugore.
Detaje nga Paketa fiskale 2026 që shoqëron projektbuxhetin e vitit të ardhshëm
Qeveria ka rishikuar paketën e re fiskale që pritet të hyjë në fuqi më 1 janar 2026, me disa ndryshime të rëndësishme. Propozimet prekin fermerët, ndërtesat publike dhe të vetë-punësuarit.
1. Në ligjin për sistemin e taksave vendore, projektet që lidhen me ngritjen e shkollave, spitaleve dhe godinave të tjera publike, do të kenë kosto më të ulët ndërtimi, pasi do të përjashtohen nga taksa e ndikimit në Infrastrukturë.
2. Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me ligjin për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Qeveria ka propozuar vendosjen e normës së kompensimit për prodhuesit bujqësorë në 10%, duke synuar mbështetjen e fermerëve dhe uljen e pabarazive në zinxhirin e furnizimit bujqësor.
Ndryshimet parashikojnë që kompensimi do të llogaritet mbi vlerën totale të produkteve dhe shërbimeve bujqësore të shitura gjatë një periudhe gjashtëmujore, dhe pagesa do të kryhet nga Tatimet brenda 30 ditëve nga paraqitja e kërkesës.
3. Një tjetër ndryshim, paketë lidhet me ligjin për Tatimin mbi të Ardhurat, ku shtohet një mekanizëm i ri për identifikimin e rasteve të shmangies tatimore nga individët e vetëpunësuar.
Sipas draftit, individët që ofrojnë shërbime si të vetëpunësuar, por në praktikë punojnë në kushte të ngjashme me punëmarrësit, do të trajtohen si të punësuar dhe do të tatohet si të tillë.
Për këtë qëllim, parashikohet krijimi i një “Deklarate të Statusit të të Vetëpunësuarit”, që do të dorëzohet bashkë me deklaratën tatimore vjetore.
4. Ndërkohë që edhe gjatë vitit 2026 për duhanin është në fuqi kalendari i rritjes së akcizës 2022-2026 i cili do të reflektohet me rritjen e çmimeve të paketave.
5. Rishikohen politikat e përjashtimeve tatimore. Segmentet e përjashtimeve nga norma standarde e tatimeve (p.sh., norma të reduktuara ose zero) për biznese të caktuara.
Përjashtimet nga tvsh‑ja për disa mallra ose shërbime që deri tani ishin të përjashtuara nga tatimi mbi vlerën e shtuar, ose ishin në shkallë të reduktuar. Lehtësirat tatimore për pasuritë e paluajtshme — përjashtime ose norma speciale për taksën mbi pasurinë dhe taksë të tjera me bazë pronën.
6. Taksa e pronës. Duke nisur nga viti 2026 qytetarët që kanë më shumë se një banesë në pronësi, do të paguajnë nga dy deri katërfish më shumë taksën e pronës.
7. Një taksë e cila vilet aktualisht nga fatura e ujit në vlerën e 0.05%, pas dy vitesh do të paguhet nga 0.1%-0.5%,
8. Rivlerësimi i pasurive të patundshme. Fushata e rivlerësimit të pronave do të nisë nga 1 janari i vitit të ardhshëm. Tatimi që do të paguhet në rast të shit-blerjes së pronave propozohet të jetë në masën 5 për qind.
9. Tatimi i pagave 50 mijë lekë. Nga punëtorët e fabrikave e rrobaqepëset te shitëset, kamerierët apo punëtorët e ndërtimit... cilido i punësuar në Shqipëri nga fillim-viti i ardhshëm do të paguhet me jo më pak se 50 mijë lekë. Paga minimale do të rritet me 10 mijë lekë. (A2 Televizion)
