Vrasja në Larushk, policia i gjen barut në duar, Valter Bami mohon përfshirjen në atentat

Nga A2 CNN
7 Korrik 2023, 18:00 | Kronikë
Vrasja në Larushk, policia i gjen barut në duar, Valter Bami mohon

Valter Bami, i arrestuar mbrëmjen e së enjtes  nga Policia e Tiranës, ka mohuar sërish të jetë pjesëmarrës në atentatin ku humbi jetën Ramazan Sino dhe u plagosën dy djemtë e mitur të Gentian Bejtas.

Gjatë marrjes në pyetje Bami është shprehur se kur ka ndodhur ngjarja ai po qëndronte në shtëpi, duke mbajtur të njëjtin qëndrim si herën e parë kur u mor në pyetje nga hetuesit pak orë pas krimit të rëndë.

Ishte një përgjigje e laboratorit shkencor që konfirmoi se në duart e Bamit kishte shenja baruti që çoi policinë në arrestimin e tij. Burime pranë bluve thanë se evidentimi i shenjave të barutit tregon se Valteri, vëllai i Durim Bamit ka qëlluar me armë zjarri mbrëmjen e krimit.

Deri tani policia e mban nën arrest Bamin me akuzën e armëmbajtjes pa leje ndërsa edhe përgjatë mëngjesit të kësaj të premteje forcat e ndërhyrjes së shpejtë dhe Renea kanë vijuar kontrollet në zonën e Niklës, Tapizës dhe Krujës.

Atentati ndodhi disa ditë më parë kur kunati i Bejtjas, Ramazan Sino sapo kishte hyrë me makinë në oborrin e kunatit të tij, bashkë me nipat. Në drejtim të tyre u qëllua me breshëri kallashnikovi, duke e lënë 29-vjeçarin të vdekur në vend dhe plagosur dy fëmijët e mitur.

Autorët dogjën automjetin bashkë me 3 kallashnikovë në afërsi të Tapizës, duke humbur çdo gjurmë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos