
Kandidati i Partisë Socialiste për Qarkun e Tiranës, Fatmir Xhafaj, theksoi se në një parti është e rëndësishme “kombinimi i gjeneratave”.
“PS-ja ka pasur historikisht kombinim të mirë gjeneratash. Të treja gjeneratat janë brenda në këtë ekip. Ka njerëz me shumë eksperiencë, edhe me kontribute të spikatura dhe disa që sapo kanë hyrë për t’u bërë pjesë e politikës. Ndoshta, me kalimin e kohës, edhe pjesë me zemër e Partisë Socialiste. Deputet të bëjnë, por socialist duhet të bëhesh”, deklaroi Xhafaj.
Kur u pyet për të ardhmen e tij politike, Xhafaj tha: “E ardhmja ime është në Parlament, për 4 vitet e ardhshme, si përfaqësues i qytetarëve të Qarkut të Tiranës dhe i motivuar për të kryer me përgjegjësi detyrat që rrjedhin nga kjo. Si dhe për të përmbushur Reformën në Drejtësi, luftën kundër korrupsionit dhe një projekt për të rritur të shëndetshme rininë”. (A2 Televizion)