Yuri Kim takohet me Gledis Nanon: SHBA do të vijojë të ofrojë mbështetje për Policinë e Shtetit

Nga A2 CNN
4 Nëntor 2021, 11:53 | Aktualitet
Yuri Kim takohet me Gledis Nanon: SHBA do të vijojë të

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, priti në një takim këtë të enjte ambasadoren amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

Në fjalën e tij pas takimit, Nano vlerësoi mbështetjen nga SHBA-ja, ndërsa theksoi se Policia e Shtetit do të jetë në nivelet më të larta për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin.

“Ky takim ishte në kuadër të bashkëpunimit që Policia e Shtetit ka me të gjithë agjencitë ligjzbatuese të SHBA-së. Ne kemi mbështetjen kryesore për trajnimin, aistencën, logjistikën dhe konsulencën.

I sigurova ambasadores se Policia e Shtetit do të jetë në nivelet më të larta për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe kërkova mbështetjen e vazhdueshme që SHBA-ja mund të japin për policinë. Kjo është një luftë që nuk mund të bëhet asnjëherë vetëm. Unë jam shumë i bindur se bashkë do t’ia dalim për të pasur rend dhe siguri më tepër në vendin tonë”, tha Nano.

Ndërkohë, Yuri Kim u shpreh se SHBA-ja do të vijojë të ofrojë mbështetje për Policinë e Shtetit. “Pati një takim shumë të mirë këtë mëngjes. Së pari, e përgëzova për pozicionin e ri. Gjithashtu, i rikonfirmova se bashkëpunimi i fortë me SHBA-në për çështjet e zbatimit të ligjit mbetet i fortë. Ne do të vazhdojmë të ofrojmë mbështetje.

Gjithashtu, Nano dhe unë jemi mbështetës të fortë të prezencës së policisë, e dinë se Policia e Shtetit ndërmerr rreziqe të mëdha, madje ndonjëherë edhe duke humbur jetën e tyre për të zbatuar ligjin dhe ruajtur rendin. Diskutuam rëndësinë se si ligjzbatimi të mbetet i ruajtur pavarësisht çfarëdolloj influence që vjen nga jashtë”, u shpreh ambasadorja. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos