“Zbërthehet" i penduari i drejtësisë, Hoxhaj rrëfen në gjyq 2 atentatet me 4 të vrarë

Nga A2 CNN
30 Maj 2023, 17:12 | Kronikë
“Zbërthehet" i penduari i drejtësisë, Hoxhaj

Henrik Hoxhaj, i penduari i drejtësisë në dosjen “Plumbi i artë” dëshmoi këtë të martë në procesin ndaj të akuzuarve për dy atentatet me4 viktima pranverën e vitit 2020 në Durrës. Hoxha u shoqërua në sallë nga efektivë policie të maskuar, ndërsa mbante veshur me fanelën e “Realit të Madridit” me mbiemrin e tij të stampuar në shpatulla. Për ekzekutimin e Dorian Shkozës, ku u vra dhe Anxhelo Avdija, Henrik Hoxhaj rrëfeu se i ishin premtuar 60 mijë euro nga Nuredin Dumani, po i ishin dhënë vetëm 35 mijë. Pjesën tjetër, sipas tij, i kishte marrë Elio Bitri, bashkëpunëtori i tij në krim.

“Me Elio Bitrin nuk kam pasur komunikim. E kam takuar tek shtëpia e Dumanit dhe jemi nisur për në vendin e ngjarjes. Elio ka qenë në timon, ndërsa unë tek sedilja e pasme. Kam patur 2 pistoleta 9mm, ndërsa Bitri një pistoletë me mulli”.

Objektivi, sipas Dumanit, ishte Dorian Shkoza. “Dumani s’ishte me ne, por vinte rrotull vendit me një automjet tjetër. Kam qëlluar me të dy armët. Edhe Bitri qëlloi, por nuk e di nëse ka kapur plumbi ndonjë nga dy viktimat”.

Ndërsa për ekzekutimin e vëllezërve Besmir e Viktor Haxhia, Henrik Hoxhaj tregoi se objektiv ishte vetëm Besmiri dhe se në ngjarje kanë shkuar të maskuar me jelek edhe kapele policie me mbishkrimin OFL.

“Kisha dy armë automatike në makinë, njërën në dorë tjetrën në xhepin e derës. Shoferi ynë u fut në parakalim kur i pamë vëllezërit dhe nisa të qëlloj. Nuredinit s'po i shkrepte arma. Unë qëllova pa e hapur xhamin. Nuk e pashë se çka bërë Nuredinise nuk e kisha mendjen. Kam qëlluar edhe nga xhami i pasëm, shoferin e mjetit,Besmirin. Më pas zbrita dhe me armën tjetër qëllova sërish për t’u siguruar”.

Sipas Hoxhajt për ekzekutimin e vëllezërve Haxhia ka marrë 30 mijë euro dhe ndonëse kishte shprehur pakënaqësi, Dumani i kishte thënë “kusho e kam hall personal, po ta kërkoj si nder. I penduari pretendoi se financimi i krimit ishte bërë nga Erion Alibej, i cili kishte dyshime se Besmir Haxhia ishte përfshirë në vrasjen e vëllait të tij. Në seancën ndaj të akuzuarve për dy ngjarjet me 4 viktima u paraqit edhe i penduari i drejtësisë, Nuredin Dumani, por nuk dha dëshmi.

Gjykata shtyu seancën me kërkesë të avokatëve, të cilët pretenduan se rrëfimi i Hoxhajt nuk përputhej me atë të dhënë me herët prej tij në prokurori. Për dy ngjarjet kriminale në GJKKO po gjykohen AltinNdocit, Klevis Allës, Besian Xhixha e Enver Diva. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos