
Rusia, Kina dhe Irani po përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Paralajmërimi vjen nga drejtori i Qendrës Kombëtare të Kundër zbulimit amerikan Bill Evanina, sipas të cilit Kina shpreson që Presidenti Donald Trump do të humbasë zgjedhjet, Rusia po përpiqet të dëmtojë imazhin e demokratit Joe Biden, ndërsa Irani po përpiqet të minojë institucionet demokratike.
“Shumë aktorë të huaj preferojnë njërin ose tjetrin kandidat dhe këtë e kanë shprehur në komunikime të fshehta, ose të hapura si dhe në akte influencuese. Ne jemi kryesisht të shqetësuar me aktivitetet e mundshme të Kinës, Rusisë dhe Iranit”, deklaroi Evanina.
Sipas shefit të kundërzbulimit, Kina e konsideron Presidentin Trump “të paparashikueshëm” dhe nuk do rizgjedhjen e tij. Ajo ka zgjeruar përpjekjet e influencës para zgjedhjeve, duke u munduar të ndikojë tek politikat amerikane dhe t’u bëjë presion figurave që i konsideron si kundërshtare të Pekinit.
Sa i përket Rusisë, zbulimi amerikan arrin në përfundimin se Moska po përpiqet të “denigrojë” kandidatin demokrat Biden dhe përkrahësit e tij që i shikon si anti-rusë. Evanina tha se kritikat ndaj Biden burojnë që nga koha kur ai ishte zëvendëspresident, lidhur me politikat e tij ndaj Ukrainës dhe kundërshtimin e politikave të brendshme të Presidentit Putin.
Irani, ndërkaq, po përpiqet të minojë institucionet demokratike amerikane si dhe të përçajë Amerikën para zgjedhjeve përmes përhapjes se dizinformimit apo materialeve anti-amerikane në rrjet. (A2 Televizion)