
Shërbimi zjarrfikës, prej muajit janar, ka patur një ulje të pagës me 5000 lekë. Gazetari i A2, Mariglen Mulla, në një lidhje direkte me studion e “Ditari”, deklaroi se përveç mungesës së mjeteve, që u denoncua nga familjarët e Arjan Salës, zjarrfikësit janë demoralizuar edhe nga kjo ulje page.
Mëngjesin e së premtes, familjarët debatuan me zjarrfikësit, duke i akuzuar ata se nuk ka pasur angazhimin e duhur, si dhe u kanë munguar pajisjet e nevojshme për të ndërhyrë menjëherë.
Ndërkohë, po vijojnë kërkimet për trupin e pajetë të 33-vjeçarit, i cili vdiq për shkak të zjarrit të rënë në një qendër tregtare në Tiranë. Familjarët vijojnë të qëndrojnë pranë qendrës tregtare, në pritje të nxjerrjes së trupit të Arjan Salës, i cili, sapo mori alarmin për zjarr, pasi nxori nga godina punonjësit, tentoi të shuante vetë zjarrin.
Arjan Sala ishte shefi i rojeve të sigurisë, i cili bëri të mundur nxjerrjen e 25 punonjësve që punonin për sigurinë e godinës. Në momentet e fundit, ai është bllokuar në katin -1, pasi flakët shpërthyen. (A2 Televizion)