Zv/ministrja e Arsimit: Mësimi në shkollë ka vlerë tjetër, nxënësit mezi presin

Nga A2 CNN
11 Shtator 2020, 20:56 | Aktualitet

Dy ditë na ndajnë tashmë nga viti i ri shkollor. Një vit sfide për shkak të kontekstit pandemik, sipas zëvendësministres së Arsimit Nina Guga, por që do të shohë padyshim një rikthim në klasa sepse ”mësimi në shkollë ka vlerë tjetër nga mësimi online”, por edhe nga fakti se fundja “nxënësit mezi e presin”, pas muajve larg shokëve të tyre. Guga nënvizon faktin që vendimi për rikthimin në klasa është menduar në përputhje të plotë me protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ajo konfirmoi për A2 faktin se për nxënësit nga klasa e parë deri tek e pesta mbajtja e maskave nuk do të jetë me detyrim, edhe pse “është e rekomandueshme”, por dhe në këtë kuadër do të jenë “të mirëpritura këshillat e mësuesve dhe prindërve” që do të mundësojnë edhe aty zbatimin e protokollit. Për nxënësit me aftësi ndryshe, sipas saj, do të ketë trajtim më të veçantë dhe fleksibël, ku mësuesit ndihmës dhe psikologët do të jenë të vëmendshëm për të patur “tolerancë në zbatimin protokollar”. Guga tregon edhe për protokollin që do të ndiqet në rast infektimi. “Udhëzimi i Ministrisë ka disa skenarë. Në rast infektimi të një mësuesi, ai do të zëvendësohet, dhe do të gjurmohen dhe testohen rastet tek nxënësit. Po pati një rast te nxënësit personi do të izolohet, po patëm më shumë se një rast do të izolohet klasa dhe leksionet do të vijojnë online, për sa kohë do të jenë në karantinim. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos