Gazetari Mentor Nazarko është ndalur te mënyra se si kryeministri Edi Rama po përballet me pakënaqësinë e qytetarëve dhe protestat e të rinjve, duke theksuar nevojën për një qasje më të moderuar dhe komunikim ndryshe.
Nazarko tha se format e protestës, përfshirë edhe ndjekjen e kryeministrit gjatë vizitave jashtë vendit, në Dublin dhe Bruksel, tregojnë se ekziston një pakënaqësi që duhet marrë në konsideratë.
I ftuar në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN, Nazarko u shpreh se përveç masave ndëshkuese dhe paketës anti-dhunë, Rama duhet të shfaqë edhe pak urtësi dhe modesti.
“Ajo që prisja unë prej z. Rama, jo thjesht në Asamble, por edhe jashtë saj, është që ai duhet ta kuptojë se nëse ka pakënaqësi ndaj tij, qoftë edhe e një pjese të popullsisë, kjo tregon se ka një pakënaqësi. Nëse besojmë që një pjesë e popullsisë, e përfaqësuar nga ata të rinj protestues, ka zgjedhur këto forma kaq agresive të protestës, edhe duke e ndjekur kryeministrin, qoftë në Dublin, Bruksel etj., kjo tregon se ka një pakënaqësi”, u shpreh Nazarko.
“Përballë këtyre formave, kryeministri, përveç shkopit, masave represive, paketës anti-dhunë, duhet të ketë edhe karotën. Duhet të ketë, siç tha Komisioni Europian, një gjuhë tjetër ndaj opozitës. Duhet të kishte shfaqje të urtësisë, të modestisë nga ky kryeministër, për të vlerësuar atë që është moment unik për kombin tonë, këtë traktat për të cilin flasim”, deklaroi Nazarko.
(A2 Televizion)