Trupat franceze po trajnojnë forcat ukrainase brenda vendit

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2026, 23:34 | Bota

Trupat franceze po trajnojnë forcat ukrainase brenda vendit

Një kontingjent i vogël trupash franceze ka qenë i angazhuar prej disa muajsh në Ukrainë, për të trajnuar personelin ukrainas dhe për të ndihmuar në mirëmbajtjen e pajisjeve ushtarake, raportuan të hënën mediat vendase, duke cituar një burim të njohur me misionin.

Trupat nuk kanë rol luftarak, tha burimi, pa specifikuar numrin e ushtarëve të përfshirë, sipas raportimeve të mediave franceze.

Radio France Internationale (RFI) raportoi se misioni ishte aktiv në Ukrainë të paktën që prej verës së vitit 2026. Duke cituar burime të njohura me çështjen, transmetuesi bëri të ditur se misioni përfshinte ekipe të vogla, të angazhuara për periudha të shkurtra, dhe se ligjvënësit francezë nuk ishin informuar për të.

Ushtria franceze ka trajnuar 25 mijë ushtarë ukrainas në Francë dhe Poloni që prej vitit 2023. Në mars, Britania e Madhe njoftoi se inxhinierët e saj po punonin së bashku me personelin ukrainas brenda vendit për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve ushtarake.

Franca dhe Britania e Madhe po udhëheqin gjithashtu një nismë të veçantë për vendosjen e një force shumëkombëshe në Ukrainë, pas çdo ndërprerjeje të luftimeve. Rusia ka përjashtuar praninë e trupave të huaja paqeruajtëse në Ukrainë.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos