“I qëndrojmë kandidatit të dakordësuar për Tiranën”, Lapaj jep formulën: Në rrethe të bëhen primare

Nga A2 CNN
16 Nëntor 2026, 22:59 | Politikë

Kreu i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se do t’i qëndrojë dakordësisë për mbështetjen e Florian Binajt si kandidat i përbashkët i opozitës për Tiranën në zgjedhjet vendore, duke kundërshtuar ndryshimin e qëndrimeve sipas zhvillimeve politike.

Ai tha se, nëse përzgjedhja do të bëhej mbi bazën e propozimeve individuale, lëvizja e tij do të mund të kandidonte aktivisten Dorina Prethi, por theksoi se s’mund të shkohet në zgjedhje me egot personale të partive.

“Ne si lëvizje jemi treguar shumë objektivë dhe kemi qëndruar te ajo që u dakordësua. Të mblidhen të gjithë faktorët dhe të dakordësohen që duhet futur edhe kjo dhe ajo, dhe ta diskutojmë. Ai që u promovua po thotë që do të vazhdojë garën për Tiranën. S’mund ta ndryshojmë mendjen sipas kohës. Në polici duhet koherencë. Ne do t’i qëndrojmë asaj që u dakordësua, s’mund të bëjmë lojëra. Po të jetë për emra, kandidatja më e mirë që mund të nxjerrim është aktivistja Dorina Prethi. Nëse do të shkonim me ego personale...”, u shpreh Lapaj në “Off the Record” nga Andrea Danglli në A2CNN.

Më tej, kreu i “Shqipëria Bëhet” prezantoi formulën e tij për përzgjedhjen e kandidatëve në rrethe, sipas së cilës secili faktor politik dhe qytetarët në shesh do të propozonin emra, të cilët më pas do të përballeshin në procesin e primareve.

“Unë po jap formulën, po them partia jonë propozon një emër, ai tjetri një emër, qytetarët një emër, pesë emra t’i fusim në primare në çdo qytet, në 46 bashki. Se nuk është çështja kur e thotë një nga sheshi, se sheshi jemi të gjithë. E di sa punojmë ne për sheshin? Edhe demokratë kam parë unë atje”, deklaroi Lapaj.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos