
Armando Sadiku dhe Lugano. Është historia e një dashurie që nuk përfundon kurrë. Sulmuesi shqiptar rikthehet për herë të tretë në klubin e Superligës zvicerane.
Pikërisht ajo ishte skuadra që e ndihmoi të realizonte kalimet në Poloni te Legia e Varshavës dhe më pas në La Liga-n spanjolle, te Levante.
Formula e kalimit të Sadikut te Lugano është ajo e huazimit deri në fund të sezonit. Një mënyrë që sulmuesi kuqezi të rikuperohet maksimalisht. Edhe pse prej dëmtimit në ligamentin e gjurit dhe operacionit 27-vjeçari nuk ka luajtur asnjë minutë në këtë edicion, Levante e cilëson një element mjaft të rëndësishëm për të ardhmen.
Armando Sadiku u rikthye në stërvitje në mesin e muajit dhjetor dhe gradualisht po rigjen formën më të mirë fizike. Kalimi në Zvicër cilësohet si një mundësi mjaft e mirë që sulmuesi të rigjejë minutat në fushë dhe ritmin e lojës.
Pas kryerjes së vizitave mjekësore, stafi mjekësor i Levantes miratoi huazimin, me shpresën se Lugano do ta ndihmojë kuqeziun të rikthehet në nivelin më të mirë. 38 gola në 62 ndeshje me bardhëzinjtë janë kartëvizita më e mirë e sulmuesit, me ndihmën e të cilit skuadra e re shpreson të largohet nga zona e mbijetesës në Superligën zvicerane. (A2 Televizion)