
Donald Trump qetëson popullin amerikan, se Shtetet e Bashkuara nuk do të kenë probleme me numrin e ventilatorëve, kur pandemia e koronavirusit të arrijë kulmin e saj. Covid-19 mund të shkaktojë probleme të rënda në frymëmarrje pasi sulmon mushkëritë. Ventilatorët ndihmojnë pacientët të marrin frymë.
Presidenti tha se të paktën 10 kompani amerikane po prodhonin pajisjet mjekësore dhe se një pjesë e tyre mund të eksportohen. Ai shpjegoi se kishte zhvilluar një bisedë telefonike me kryeministrin Italian Giuseppe Conte dhe se Shtetet e Bashkuara do të dërgonin atje pajisje me vlerë 100 milionë dollarë. “Pasi të plotësojmë nevojat tona do të dërgojmë pajisje në Itali, në Francë në Spanjë dhe ku të mundemi tjetër”, tha ai.
Deri më tani Shtetet e Bashkuara kanë mbi 163 mijë raste të konfirmuara dhe më shumë së 3 mijë vdekje. Nju Jorku është qyteti më i prekur me rreth 915 viktima sipas të dhënave të Universitetit “John Hopkins”.
Në fjalimin e së hënës, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha gjithashtu se më shumë se 1 milion amerikanë i ishin nënshtruar testeve për virusin, më shumë se në çdo vend tjetër, sipas tij. Trump paralajmëroi se 30 ditët në vazhdim do të jenë sfiduese, duke theksuar se distancimi social mund të shpëtojë jetë njerëzish.
Aktualisht në mbarë vendin po aplikohen udhëzimet për shmangien e udhëtimeve jo të domosdoshme, vajtjes në punë, në restorante dhe bare. Grumbullimet janë kufizuar në më pak se 10 persona. Por në shtetet më të prekura janë në fuqi rregulla më strikte. Banorët e Nju Jorkut, Nju Xhersit dhe Konektikatit janë këshilluar të mos udhëtojnë në asnjë vend tjetër për 14 ditë. Në Nju Jork ndalohen grumbullimet dhe bizneset janë mbyllur. (A2 Televizion)