
Nuk kanë të ndaluar protesta në Izrael, kundër reformës së shumëkritikuar në drejtësi të propozuar nga kryeministri Netanyahu.
Më shumë se 100 mijë njerëz dolën në sheshet e Tel Avivit për të 22-ën javë radhazi, me thirrjen se nuk kanë për ta pranuar asnjëherë këtë reformë.
Sipas protestuesve, kjo reformë rrezikon karakterin demokratik të Izraelit dhe është një kërcënim real edhe për ekonominë e vendit.
Synimi i reformës është që t’i japë qeverisë një ndikim vendimtar mbi zgjedhjen e gjyqtarëve dhe të kufizojnë aftësinë e Gjykatës së Lartë për të vendosur kundër ekzekutivit ose për të rrëzuar legjislacionin.
Organizata e Kombeve të Bashkuara i ka kërkuar qeverisë izraelite të pezullojë reformën e shpallur në drejtësi, pasi ajo mund të dobësojë në mënyrë drastike të drejtat e njeriut në vend.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut, Volker Turk, beson se ndryshimet do të dobësojnë pavarësinë e gjyqësorit, sigurinë ligjore dhe të drejtat e njeriut të izraelitëve. (A2 Televizion)