Blendi Gonxhja, ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, u shpreh se shqetësimi kryesor i Partisë Socialiste është që qytetarët e Tiranës të kenë sa më shpejt një bashki me kokë”.
“Shqetësimi dhe meraku ynë kryesor është kryeqyteti dhe që kryeqytetasit të kenë sa më shpejt normalitet, të ketë një bashki me kokë, jo pa kokë, dhe të jetë e qeverisur sa më mirë. Ne shpresojmë dhe ne do luftojmë që ai kryebashkiak të jetë pjesë e vizionit dhe e forcës sonë politike”, tha Gonxhja në studion e “Off the Record” nga Andrea Danglli, në A2CNN.
Kur u pyet për komentet e zotit Erion Veliaj nga qelia, Gonxhja u shpreh: “Më shqetëson në nivelin human çdo gjë që mund t'i ndodhi dikujt në aspektin njerëzor. Nuk diskutohet që kjo është një gjë shumë e rëndë sepse edhe pjesa e problematikës shëndetësore që ai kishte më shqetëson natyrisht. Për familjen dhe për gjithçka që ai përfaqëson për gjithë rrethin e tij, për gjithë atë që ai përfaqëson për ne, për atë që zoti Veliaj ka bërë me Tiranën, për atë që ka arritur. Unë kam qenë bashkëpuntëtor i tij, kam punuar për të, kam punuar për kryetarin Rama, kam punuar dhe për kryetarin Veliaj. Janë dy ish-kryetarë bashkie për mua dhe unë kam qenë drejtor agjencie, kam qenë nënkryetar, jam marrë goxha me Tiranën. Pra, kjo është një gjë që është e padiskutueshme. Nga ana tjetër, për pjesën e qëndrimeve politike, u sqarua në Asamble. Ju e mbani mend Partinë Socialiste të para shumë viteve dhe atë estradën që bëhej me forumet e partisë kur s'kishte një sens dhe një masë. Kjo gjë ne mendojmë që nuk është më as e dobishme për partinë, as e dobishme për elektoratin, as e dobishme për qytetarët, as e dobishme për opinionin publik. Ne këtë situatë nuk duam ta ushqejmë dhe qëndrimi është që ne çfarë kemi, e themi aty. Ne çdo qëndrim e çdo gjë e themi aty. Ne çdo gjë e shprehim brenda shtëpisë. Nuk diskutohet që pastaj secili është i lirë në rrugën e vet, me qëndrimin e vet, me kurajon e vet, me forcën e vet t'ia dalë. Unë di t'ju them që më bashkon një gjë me zotin Veliaj, në kuptimin e G99, kur ata ishin goxha çuna të talentuar, të rinj. Më duket se kanë marrë diku te 1900 vota kur konkurronin për Bashkinë e Tiranës. Kam tentuar të futem në Këshillin Bashkiak të Tiranës me një subjekt politik në vitin 2015 dhe kam marrë 1780 vota. Pa Partinë Socialiste, pa forcën politike mora vetëm kaq vota. Ne të gjithë shtojmë diversitetin, ne të gjithë shtojmë pasurinë e Partisë Socialiste, por që t'i karshillosemi Partisë Socialiste nuk i shkon askujt. Ne nuk e inkurajojmë dhe ne nuk duam që kjo të ndodhë me askënd nga ne. Kush e ka në mend, vijon jetën e vet dhe natyrisht që në respekt të plotë të të drejtave të secilit. Tani që unë kam marrë 25 000 vota nuk bëj kurrë gabimin të mendoj se këto janë votat e mia. Janë votat e Partisë Socialiste, janë votat e përgjegjësive që më kanë besuar, janë votat e detyrave që unë kam kryer. Kam bërë shumë punë të mira, mund të kam bërë edhe ndonjë gabim, por pa Partinë Socialiste nuk merrja dot unë 25 mijë vota. Partia është instrumenti më i mirë që njohim për të bërë më të mirë Shqipërinë. Ne e kemi këtë logo. Dikush tjetër ka një logo tjetër”. (A2 Televizion)