Vrasja e Selami Hasanit në Fier ka çuar tre persona në Komisariatin e Policisë, të cilët janë pytetur në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen.
Kamerat e sigurisë fiksuan praninë e një automjeti Volvo pranë banesë së Hasanit, e cila u gjend e djegur te kthesa e Pojanit, teksa dyshimet janë edhe për dy persona të pikasur me kapuçë e rroba të zeza, por policia ende nuk ka konfirmim dhe vijon të jetë në kërkim të autorëve, shkruan A2.
Viktima Selami Hasani, ka qenë i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Julian isufajt, nipit të Arben Isufajt, i njohur si Ben Qimja në mars të vitit 2002. Në lidhje me këtë denim, viktima Hasani ishte liruar në 3 nëntor të këtij viti nga burgu i Fushë-Krujës. Mendohet se ekzekutimi i 60-vjeçarit të ketë ndodhur në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e kryer prej tij në mars të vitit 2002.
Familjarët kanë hapur dyert e mortit teksa kanë njoftuar dhe për organizimin e ceremonisë mortore.
Nga atentati mbeti i plagosur Jakup Hasani, i cili fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ai kishte marrë tre plumba në trup dhe pas përfundimit të operacionit, ai është dërguar në repartin e reanimacionit, nën kujdesin e vazhdueshëm mjekësor si dhe nën masa të rrepta sigurie. (A2 Televizion)