
Festimi i 110-vjetorit te pavarësisë bëri bashkë në Tiranë deputetët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë, si dhe qeveritë përkatëse.
Për herë të parë në histori, kuvendet e dy shteteve shqiptare u mblodhën në një seancë të përbashkët parlamentare, të bashkëdrejtuar nga kryetarët Nikolla dhe Konjufca, që nisi me ekzekutimin e himnit të Kosovës e më pas atij të Shqipërisë.
Kryeparlamentarja e Shqipërisë theksoi nevojën për të tejkaluar kufijtë mendore që ndajnë kombin.
“Historia nuk është rrëfim por edhe shkollë. Kemi qenë të ndarë me mur por në gëzime e vaje kemi pasur në vetëdije njëri-tjetrin. Përgjegjësi për t’i shndërruar kufijtë në kufij informalë dhe për këtë një rol vendimtar kanë dy kuvendet tona. Shqiptarët kudo që janë do të bëjnë më të mirën”.
Homologu i saj i Prishtinës tregoi se për Kosovën, 28 Nëntori lidhet ngushtë edhe me historinë e luftës së UÇK-së.
“28 nëntori është i shqip po aq sa është i Kosovës meqë është si gjithë shqiptarëve. Në këtë ditë lindi edhe heroi i madh Adem Jashari i cili duke luftuar për komb e atdhe u sakrifikuan me familjarë e me bashkëfshatarë në Prekazin legjendar. Sa më afër Shqipëria me Kosovën aq më lehtë do jetë t’i mbrojmë interesat jetike të vendit tona”.
Kryeministri Albin Kurti kërkoi që shqiptarët t’ia pranojnë kritikat njëri-tjetrit, duke u shprehur kundër ndarjes në çifligje për t’i parë ato si kontribut për kalanë e përbashkët.
“Ndarjet krahinore, bajraktarizmat ishin pengesë e prapambetje atëherë, edhe sot ashtu janë. Duhet të gëzohemi kur përfshihemi sa më shumë në çështjet publike të njëri-tjetrit jo për të penguar, por për të ndihmuar”.
Me bindjen se shqiptarët s’kanë qenë kurrë në pozita më të mira në raport me të huajt, kryeministri Rama pohoi se kjo nuk ndodh në raport me veten.
“Një pjesë të mundësive ne e shfrytëzuam, ne shqiptarët flas, një pjesë të mundësive ne e huqëm në një pjesë të konsiderueshme të kësaj bashkëjetesës sonë, në këtë që quhet truall i Shqipërisë, ne bëmë çmos dhe vazhdojmë të bëjmë çmos për ta penguar njëri-tjetrin, herë me sukses e herë pa sukses, por sot që është një ditë e mirë, është një ditë e bukur, është një ditë frymëzuese edhe për këtë pamje e cila i ka mbledhur të gjithë bashkë, pavarësisht nëse do donin apo s’do donin ta pranonin njëri-tjetrin, qoftë edhe në një mëhallë në jetën e përditshme”.
Rama mbylli fjalimin me një kujtim për Ibrahim Rugovën dhe Hashim Thaçin.
“Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe të dyja këto natyrisht lidhen me Ibrahim Rugovën, një i munguar i madh sot, pasi u nda nga jeta para kohe, por me mision të kryer dhe Hashim Thaçi, një tjetër i munguar i madh sot, në këtë sallë, i cili është i ndarë prej nesh përkohësisht, me një mision që vazhdon”. (A2 Televizion)