
Italia tashmë numëron 400 persona të infektuar me koronavirusin, Covid-19. Këtë e konfirmoi kreu i Mbrojtjes Civile në vend, Angelo Borrelli. Ai tha gjithashtu, se tre pacientë të diagnostikuar në Romë, tashmë janë shëruar.
Rajoni më i prekur mbetet Lombardia, me 258 raste, mes tyre 6 të mitur. Më pas vjen Veneto, me 71 të prekur, 47 në Emilja Romanja, 11 në Liguria, 3 në Piemonte, 3 në Lacio, 3 në Sicili, 2 në Toskanë, 1 në Trentino dhe 1 në Marke.
Mediat italiane raportojnë se karabinierët kanë sekuestruar kartelën e pacientit të parë të diagnostikuar në Kodonjo, qytezën ku mendohet se u shfaq për herë të parë koronavirusi. Megjithatë, nuk është bërë ende e qartë se kundër kujt është nisur procedimi penal. Disa ditë më parë, kryeministri Giuseppe Conte, tha se mosndjekja e protokollit në një spital, ka ndihmuar në përhapjen e Covid-19.
Gjatë të mërkurës, numri i fluturimeve drejt Veriut dhe Verilindjes së Italisë ka rënë ndjeshëm, deri në 24% më pak, krahasuar me të njëjtën datë të dy viteve më parë. Nga ana tjetër, British Airways anuloi të gjitha fluturimet për në Milano deri në 11 mars. (A2 Televizion)