
Të paktën 145 mbrojtës të të drejtave të njeriut u vranë në Kolumbi në vitin 2021, një shifër më e ulët krahasuar me vitin e kaluar, por që konfirmon rigjallërimin e dhunës në vend që nga marrëveshja e paqes e vitit 2016, raporton zyra e Mbrojtjes së Popullit
“Në vitin 2021, janë regjistruar 145 vrasje të liderëve socialë apo mbrojtësve të të drejtave të njeriut”, tha në një deklaratë për shtyp organi publik që monitoron respektimin e të drejtave të njeriut në vend.
Në vitin 2020, janë regjistruar 182 vrasje. Sipas Mbrojtësit të Popullit, 32 përfaqësues indigjenë, 16 drejtues fshatarë dhe shtatë sindikalistë janë ndër viktimat e vitit 2021.
“Ne i dënojmë këto fakte, kryesisht për shkak të veprimeve kriminale të grupeve të armatosura ilegale”, tha mbrojtësi Carlos Camargo, pa dhënë detaje mbi autorët e dyshuar të këtyre sulmeve.
Që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes me guerilët e Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC) në vitin 2016, vrasjet e liderëve socialë kanë qenë të përsëritura. Organizatat sociale akuzojnë disidentët e FARC-ut, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare (ELN), guerrilja e fundit aktive në Kolumbi, trafikantët e drogës dhe grupet paraushtarake se qëndrojnë pas vrasjeve.
Departamentet më të prekura janë: Antioquia, Cauca dhe Valle del Cauca, që janë edhe korridoret e trafikut të drogës.
Kolumbia është një nga vendet më të rrezikshme në botë për aktivistët, sipas disa OJQ-ve. Global Witness e identifikoi atë si më vdekjeprurësin për mbrojtësit e mjedisit duke regjistruar 65 viktima në 2020. Qeveria e presidentit konservator Ivan Duque akuzon bandat e drogës se qëndrojnë pas vrasjeve. Kolumbia, prodhuesi më i madh i kokainës në botë, po përjeton rritjen më të keqe të dhunës që nga nënshkrimi i marrëveshjes së paqes të vitit 2016. (A2 Televizion)